Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zgjedhur rrjetin social Facebook për të reaguar pas zhvillimeve politike të ditës së sotme dhe parlamërimin e bërë nga ambasadori amerikan Donald Lu për rrezikun e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Basha bën thirrje për protesta qytetare që sipas kryedemkratit do të nisin më 18 shkurt.
“Mbi gjithë zhurmën e propagandës në Shqipëri sot ka një mesazh që dëgjohet qartë: Politikanët e korruptuar dhe krimi duan të vjedhin zgjedhjet e ardhshme.
Këtë mesazh po e thonë me zë të lartë qytetarët e thjeshtë dhe diplomatët e huaj, institucionet e drejtësisë dhe shërbimet sekrete të huaja dhe vendase, politikanët e huaj dhe vetë ministrat e qeverisë.
Tonelatat e farës së hashashit që kanë hyrë muajt e fundit ne Shqipëri janë pjesë e planit për të blerë dhe vjedhur vota, për të ruajtur pushtetin e tanishëm politik duke prishur zgjedhjet. Një shoqëri e rrethuar nga krimi dhe droga nuk prodhon punë, mirëqenie, shëndetësi, dhe arsim. Një shoqëri e pushtuar nga droga prodhon krim dhe prapambetje.
Ne mund ta ndalojmë këtë të keqe duke u ngritur së bashku. 18 shkurti është dita që populli të thotë fjalën e tij. 18 shkurti është dita për të nisur aksionin e kthimit të pushtetit tek qytetaret. 18 shkurti është dita të #NgrihemiBashkë”, shkruan Basha.
2 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)