02 May
Banorët e Hasanbegut dhe Inxhikovës të strehuar në konviktin “Tome Stefanovski Seniç” vazhdojnë të mbeten në udhëkryq. Tashmë një muaj ata janë të detyruar që në dhomat e gjumit të përgatisin ushqim për shkak se me vendim të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale u është ndërprerë ushqimi në menzën e konviktit. Drejtori i konviktit Lulzim Xhemaili tha se shpenzimet janë dyfishuar dhe janë shkaktuar dëmtime në konvikt, por ai mbetet në qëndrimin se nuk do të marrë asnjë masë për largimin e tyre.
Këta do të mbesin këtu, unë nuk do të marrë masa që ti largoj të njëjtit sepse janë pjesë e vuajtjeve që kanë përjetuar ose tmerrin që e kanë përjetuar me rastin e përmbytjeve. Realisht janë duke gatuar nëpër dhomat e tyre, me çka rriten shpenzimet, prishet rregulli i funksionimit të vet konviktit, por ky rend u prish duke falënderuar ministrin Ibrahimi i cili gjatë gjithë kohës luan me fytyrën e vet dhe do t’i apeloja nga këtu ik sa më shpejt se nuk të ka hije që të jesh ministër – tha Lulzim Xhemaili, banor i strehuar në konvikt.
Ndërkohë, banorët shprehen të revoltuar për lojën që po bën Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Kushtet janë minimale në këtë aspekt për shkak se ne vet duhet të gatuajmë, me përgatit. Ushqimi është ndaluar…Çka është me e keqja nuk kemi përgjigje të saktë, kemi bë dy peticione edhe në Ministri edhe ne Qeveri që para 10 ditëve po nuk kemi kurrfarë përgjigje..Nuk shohë humanistet, unë shoh këtu raste të strehuar që nga viti 2001, është politikë e thellë, për dikë nënë e për dikë njerkë –deklaroi Fatmir Gashi, banor i Hasanbegut.
Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale vazhdojnë të përsërisin qëndrimin e tyre se personat e strehuar do të duhet të kompletojnë një dokumentacion të caktuar dhe të njëjtin ta dorëzojnë në qendrat për punë sociale të cilat më pas do të shqyrtohen dhe do të vendoset për çdo familje veçmas.
Melihate Rustemi