Një ditë pas përvjetorit të masakrës, Luboteni pllakoset sërish nga heshtja e rëndë.
Kujtimi për të rënët ra në harresë, sepse zyrtarët mjaftohen vetëm me një ditë, për të shkruar statuse. Banorët rikthehen në realitetin e hidhur të përditshmërisë.
Mungesë kujdesi, premtime të pambajtura dhe një ndjesi e thellë braktisjeje.
Interesimi i partive politike shqiptare, thonë banorët, është aq i vogël, saqë kur afrohet 12 gushti, ata enden nëpër fshat duke kërkuar se ku janë familjarët e viktimave. Ata nuk e dinë se kush jemi, ku jetojmë. Pjesën tjetër të vitit, askush nuk troket në derën e tyre.
“Tani me 12 gusht na rikujton edhe një send, jemi ende më mjerim. Masakra e Lubotenit është bërë nga pala maqedonase, kurse qeveritarët tanë i kanë dëmshpërblyer, nuk e di nga sa të holla në muaj, i kanë mbrojtur në Hagë, e i kanë shpërblyer familjarët e tyre, kurse familjarët e të masakruarve në fshatin tonë, janë të lënë të gjithë pas dore. Askush nuk i viziton, kur vjen 12 gushti, vijnë i kërkojnë, nuk e dinë se ku janë e kush janë. Ejani të bëjmë tubim… për çfarë të bëjmë tubim, nuk duhet kujdes për të varfrin vetëm për një ditë”, deklaroi një banor i Lubotenit.
Banorët e Lubotenit thonë se, pavarësisht shfrytëzimit vetëm me rastin e 12 gushtin, por autoritetet nuk kujdesen as për kushtet bazë të jetesës së këtyre banorëve.
“Jo valla nuk kanë ardhur, ndash BDI, ndash PDSH që ka qenë atëherë… S’na kanë marrë në dorë fare.. po kur vjen ndonjë para zgjedhjeve, atëherë hajde në Luboten, do bëjmë kështu dhe ashtu, edhe shihet se çfarë është bërë në Luboten. Ja me çfarë pi ujë unë, edhe atë e paguaj personin që të ma bie ujin, që të mund të jetoj. Me partitë politike nuk jemi të kënaqur aspak, 600 shtëpi, pikë uji nuk ka, ne a nuk kemi fëmijë, a nuk kemi të moshuar a?…”, tha një tjetër banor i Lubotenit.
“Po na vjen keq valla….ja çfarë kemi ndërtuar në fshat, ne krejt vetëm me financat tona, se asnjë nuk na ka ndihmuar aspak, ja atë murin atje, e disa punë të tjera, ja pa ujë kemi mbet, vetëm na thonë do ta bëjmë sot e nesër, edhe s’ka asgjë hiç, nuk na bien mbrapa as hiç hiç… Pasi nuk na ndihmojnë, përse të vijnë kot. Ka qënë BDI 20 vjet, dobët, nuk kanë ndihmuar fare”, theksoi një banor i Lubotenit.
“Na premtojnë politikanët vetëm nëpërmjet fejsbukut, a projekte nuk ka…Këto mendojnë se vetëm me postime nëpër rrjete sociale do realizohen”, nënvizoi një banor i Lubetenit.
Pas më shumë se dy dekadash heshtje, e vite me radhë që s’kishte shkruar asnjë shkronjë për lubotenasit, Ali Ahmeti për herë të parë, këtë vit, i quajti autorët e masakrës së Lubotenit, “forca paramilitare.”
Por ky reagim, u prit me kritika të ashpra, jo vetëm nga lubotenasit por edhe qytetarët e tjerë që nuk nguruan të komentojnë e të pyesin se përse nuk është kërkuar llogari deri më tani. Njëri nga komentuesit, madje me ton akuzues, shkruante “Që të gjitha këto krime ti i shkele, e di mirë pse.” “Na trego ti zotri Ahmeti, kur ka qenë hera e fundit që i ke vizituar, ose të paktën çfarë ka punuar BDI në fshatin Luboten.
E dyshimtë edhe fakti që në këtë status, Ali Ahmeti u referohet forcave policoro-ushtarake si forca paramilitare. Nga ana tjetër, nga raportimet tona, BDI gjatë gjithë viteve që ka qenë në pushtet ka kontribuuar për shpërblimin e të dënuarit për këtë masakër, Johan Tarcullovskit (dokument Alsat mbledhja e qeverisë). Përveç Tarçullovskit, përfitime ka pasur edhe gruaja e tij, së cilës, qeveria i pati ndarë nga 5 mijë euro në muaj, derisa Tarçullovski ishte në burg.
Qytetarët ndër vite i ka revoltuar edhe bashkëpunimi i BDI-së me të akuzuarin tjetër për këtë masakër, Lube Boshkovskin, duke bërë fushatë për BDI-në në zgjedhje lokale, në krah të Teuta Arifit. Por, pavarësisht kohës dhe vëmendjes së politikanëve, është e qartë se për lubotenasit tani do të shkruhet vetëm pas 1 viti. /Alsat.mk