Banorët e përmbytur të fshatrave Çiflik, Arrëz, Banaj dhe Sheq protestuan sot para Bashkisë Dimal, për shkak të përmbytjeve dhe dëmeve që kanë shkaktuar ato në bujqësi dhe të mbjella.
Ata pretendojnë se bashkia Dimal i përmbyti, duke bllokuar kanalin kullues.
Ata pretendojnë se edhe punimet e kryera nga bashkia Dimal për ndërtimin e Urës së Re nga firma “Salillari” dhe shkatërrimi i argjinaturës i ka përmbytur në këto vitet e fundit.
Sipas banorëve, ata janë përmbytur 3 herë, disa edhe 4 herë brenda 1 muaji dhe dëmet e shkaktuara janë kolosale.
Pasi u kanë shpjeguar situatën, që sipas bashkisë ka ardhur nga fryrja e lumenjve dhe përrenjve dhe jo nga neglizhenca e bashkisë Dimal, përfaqësuesit Shkëmbi dhe Hoxha kanë deklaruar se do të bëhet i gjithë studimi i territorit dhe matjet në terren, për të verifikuar nëse pretendimet e tyre qëndrojnë apo jo.
Gjithashtu ata kanë deklaruar se do fillojnë që sot grupet e punës, për verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet shtëpi më shtëpi, në mënyrë që banorët të dëmshpërblehen.


