Në kushte të rritjes së shpejtë të ekonomisë së brendshme dhe ngadalësimit të inflacionit, sistemi bankar ruajti stabilitetin, aftësinë paguese, ndërsa shkalla e mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në 19.6 për qind, që është niveli më i lartë që nga viti 2006, konstatoi Këshilli i Bankës Popullore, i cili në seancën e rregullt miratoi Raportin mbi rreziqet për sektorin bankar për tremujorin e dytë të këtij viti.
Banka Qendrore njoftoi sot se likuiditeti i sistemit bankar ka mbetur në një nivel të kënaqshëm dhe se asetet likuide mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të detyrimeve afatshkurtra dhe depozitave të amvisërive.
Edhe cilësia e portofolit kreditor është përmirësuar në këtë tremujor, ndërsa norma e kredive jofunksionale është ulur në nivelin më të ulët historik prej 2.4 për qind.
“Në kushte të standardeve të lehtësuara të kreditimit dhe të rritjes së kërkesës për kredi, aftësia paguese e përforcuar mbështeti rritjen më të shpejtë të kreditimit për amvisëritë dhe ndërmarrjet, e cila në bazë tremujore arrin përkatësisht 3.1 për qind dhe 4.3 për qind. Edhe depozitat u rritën më shpejt në tremujorin e dytë të vitit, ndërkohë që vazhdojnë të shënohen lëvizje të favorshme sipas valutës dhe afatit të depozitave”, informon Banka Popullore.
Këshilli i Bankës Popullore ka miratuar gjithashtu Kornizën për qëndrueshmëri, me ç’rast vendoset baza për zbatimin sistematik të praktikave të qëndrueshme në punën e përditshme. Korniza për qëndrueshmëri synon të kontribuojë në rritjen e efikasiteti energjetik, përdorimin e përgjegjshëm të burimeve, nxitjen e financave të gjelbra dhe uljen e gjurmës së karbonit, si dhe në ngritjen e vetëdijes dhe forcimin e kapaciteteve të punonjësve në fushën e veprimtarisë së qëndrueshme. Me miratimin e saj, Banka Popullore njofton se do të vazhdojë me aktivitetet e orientuara drejt përmirësimit të praktikave mjedisore, edukimit financiar dhe veprimit të përgjegjshëm, në funksion të stabilitetit ekonomik afatgjatë dhe mirëqenies shoqërore.
 
		


