Analisti kosovar dhe botuesi Berat Buzhala ka analizuar aktualitetin politik në Shqipëri, duke ngritur disa pikëpyetje për lëvizjet e çuditshme në të dy kampet, pozitë-opozitë, në lidhje me çështjen e ish-zv/kryeministres së pezulluar, të pandehur dhe nën masë sigurie nga SPAK-GJKKO, Belinda Balluku.
Ndërsa sjell në vëmendje mënyrën se si Edi Rama po e mbron me shumë fanatizëm, ndryshe nga çfarë ka bërë me zyrtarë të tjerë socialistë të akuzuar apo arrestuar më herët, ai thekson se duket sikur “Bela është elefanti në dhomën e Ramës”, apo edhe “shefja e tij”, dhe jo e kundërta.
Nga ana tjetër, sipas Buzhalës, është opozita që po hesht dhe nuk po e sulmon më Ballukun, edhe pse me ironi shton se doktori, Sali Berisha, e ka cilësuar si “Lubi Balluku”, që në etimologjinë shqiptare nënkupton një “bishë apo kuçedër deti me shumë koka, që ha njerëz dhe kafshë”.
“Lubia, sipas mitologjisë shqiptare, është një lloj kafshe që jeton në det, tip kuçedre që ka shumë koka, që ha njerëz e bagëti, një forcë e errët. Por doktori disa gjetje e nofka i ka interesante, por nuk kam ndër mend të merrem me Berishën sot, se e mbylla dje. Tani Belinda Balluku është shndërruar në elefantin që rri në dhomën e Edi Ramës. Kurrkush nuk e di arsyen e saktë, por pas 13 vitesh në politikën shqiptare, për herë të parë, kreu nuk është Edi, por Balluku. Duket sikur Edi është punëtori i saj dhe jo e kundërta”, thekson ai në hyrje të analizës.
Madje, sipas tij, opozita nuk po publikon as dosjen e saj, me shpresën që ta përdorë si faktor për të rrëzuar qeverinë.
“Opozita ka filluar të bëjë tifo për Belën, madje as nuk e sulmon shumë, duke shpresuar që ajo mund të bëjë atë që ata nuk kanë mundur ta bëjnë: ta rrëzojë Edi Ramën. Shumë e çuditshme, sepse opozita nuk po ia publikon as dosjen që pretendohet se e ka në dorë. Belinda Balluku po frikëson rrethin e Edi Ramës, ministrat dhe deputetët. Janë këta që po druhen se Bela e ka në dorë timonin e shtetit dhe, për të shpëtuar veten, bashkë me të gjithë udhëtarët që ka në autobus, mund të hidhet në humnerë. Rama është treguar tolerant me SPAK-un kur kjo organizatë ka goditur Arben Ahmetaj, Erion Veliaj dhe disa ish-ministra të tij, mirëpo i ka dalë gjyles së topit me gjoks përpara kur prokuroria ka kërkuar Belën. Pse Edi Rama po e bën këtë gjë? Këtë pyetje më shumë po e bëjnë dashamirësit e Ramës sesa kundërshtarët e tij”, shprehet ai.
Buzhala ngre edhe tezën se një ditë Rama mund ta “lëshojë” Ballukun për t’i hapur rrugën integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, njësoj siç kanë bërë më herët vende të tjera të rajonit.
“Ka shumë pak gjasa që BE t’ia hapë dyert Shqipërisë për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje, nëse Rama nuk e lëshon Belën, nuk e heq ‘nën autobus’. Rama e ka shkarkuar Belën me shumë përtesë nga detyra e ministres, madje për t’ia bërë asaj qejfin, ka shkarkuar edhe kundërshtaren e saj në qeveri, Elisa Spiropali”, shprehet ai.
Me një video-postim në Facebook, Buzhala komenton zhvillimet e fundit dhe ngre tezën intriguese se një ditë Rama do ta sakrifikojë Ballukun që “Shqipërisë t’i hapen dyert e BE-së”, ashtu siç ndodhi dikur në Kroaci, Mal të Zi apo vende të tjera të Europës Juglindore.
“Në mes të Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian duket se qëndron Belinda Balluku, ndërsa Edi Rama bën sikur nuk e sheh”, shkruan analisti në postimin e tij, të cilin e shoqëron me një video të gjatë analize.
Sipas analistit kosovar, Balluku është “e vdekur politikisht dhe juridikisht”. Por pyetja që ngrihet tani është: nga i buron kjo fuqi dhe çfarë pritet të ndodhë më tej?
“Ku i buron fuqia dhe guximi Belës për të pasur një diskrecion të tillë? Opozita thotë se kjo fuqi i buron nga fakti që ajo i ka kryer të gjitha veprimet me urdhër të Edi Ramës. Njerëzit e PS-së thonë se ky është një shpjegim shumë i thjeshtë dhe se ka diçka më tepër. Thonë se Rama po e mbron me kaq fanatizëm, që kur ta lëshojë, të duket si kompromis i madh për t’i hapur dyert Shqipërisë drejt BE-së. Mos harroni: para futjes në BE, shtetet e Europës Juglindore kanë paguar çmime të larta politike në fushën e rendit dhe ligjit. Kroacia ka sakrifikuar një kryeministër, Mali i Zi ka spostuar Milo Đukanović, ndërsa Rumania dhe Bullgaria kanë bërë lëvizje të ngjashme. Shumë shpejt do ta kuptojmë situatën. Belinda Balluku është e vdekur politikisht dhe juridikisht”, komenton Buzhala për situatën politike në Shqipëri.


