Me emërtimin fillestar për emrin e vargmalit që shtrihet në veri të Bullgarisë, në gjatësi prej 600 kilometrash, Ballkani me kohë u bë emër i vendosur gjeografik dhe politik, shtrirja dhe kufijtë e të cilit janë vatër e pandërprerë e diskutimeve të shumta, akoma mjaft aktive. Disa autorë fillimin e tregimit për emrin e gjejnë tek dëshmitë e udhëtarëve të huaj, që në raportimet e tyre të natyrës zyrtare ose private i shtronin perceptimet personale për hapësirën, duke i shënuar vendet sipas vullnetit të lirë. Kështu John Moritt, në udhëtimin e tij nëpër Levant, raporton për kapërcimin e maleve Bal.Kan, edhe pse në raportimet e udhëtarëve anglezë më shpesh përdorej emri klasik Hemus. Gadishullit ia dha emrin gjeografi gjerman August Zeune më 1808, duke ia përcaktuar kufijtë: “Gadishulli Ballkanik është i ndarë nga pjesa tjetër e Evropës në veri me vargmalin e malësisë së Ballkanit ose ish Albanusin, Skardusin, Hemusin, që në veriperëndim ndërlidhet me Alpet përmes gadishullit të vogël të Istrës, ndërsa në lindje zhduket në Detin e Zi në dy degëzime.” Historiani britanik Mazower thotë se, si para vitit 1880, në dokumentet historike dhe raportime as që janë përmendur popujt ballkanikë, por që përzierja e popujve dhe feve në Gadishullin Ballkanik bashkohej nën emrin “Turqia Evropiane” gjatë shekullit XVIII dhe XIX. Historiane Maria Todorova i përmend emrat për Gadishullin Ballkanik që përdoreshin deri në Kongresin e Berlinit, të mbajtur në vitin 1878: “Turqia Evropiane”, “Turqia në Evropë”, “Perandoria Osmane Evropiane”, “Levanti Evropian”, “Turvant”, “Gadishulli Oriental”. Por, kjo përmend se qysh atëherë prezantohen edhe emërtime të veçanta etnike: “Gadishulli Grek”, “Gadishulli Sllavo-Grek”, “Gadishulli Jugosllav”.
Përkufizim të drejtë, racional, të plotë dhe të sinqertë për Ballkanin e kemi shumë të vështirë për të gjetur, sepse sa mundohesh të thuash diçka, menjëherë të paraqiten jo një mendim, por shumë të tillë, ashtu që je i detyruar “të vraposh” pas mendimeve. Secila fjalë e fyen dikë, e nënçmon dikë dhe, mbi të gjitha, i pengon dikujt. Edhe pse nuk kemi të drejtë të themi se jomuslimanëve nuk u pëlqen kur themi se u pengojmë, është fakt se “u kemi penguar” atyre. Mbi këtë pengesë është ndërtuar/rindërtuar kultura e luftës, kultura e ekzistencës, kultura e të mbijetuarit në këtë vend. Mbi këtë pengesë janë zhvilluar luftëra dhe janë lejuar masakra e gjenocide, të cilave akoma nuk u shihet fundi: “Sepse, imagjinata është gjithmonë e kthyer nga e kaluara, rrëfimet e mëdha mendohen në kohën që njeriu e njeh dhe në të cilën ndjehet i sigurt, ngaqë ajo kohë ka kaluar.” (M. Jergoviq)
Në Ballkan “kultura” e të menduarit dhe drejtësia janë shkelur dhe janë ngjyrosur me ngjyrën më të shëmtuar, mendoj për pjesën e quajtur botë moderne (Evropa); këtu moderniteti fare nuk ka vend, është sjellë tamam sipas mendësisë së Ballkanit, jo vetëm që ka heshtur ndaj së vërtetës, por shpeshherë edhe ka qenë pjesëmarrëse për këtë mënyrë të veprimit. Këtu filozofia ka dështuar, historia ka mashtruar, politika ka uzurpuar, ekonomia ka shfrytëzuar dhe ka varfëruar pa dhënë përgjigjen e duhur.
Ky botëkuptim është bërë një “fuqi”, e cila është munduar dhe, disi mund të themi, ka dhënë rezultatet e veta që edhe brenda asaj “të vërtete” të krijojë gjëra që nuk përputhen me realitetin e tyre; konkretisht mendoj se edhe brenda korpusit musliman ka bërë që të krijohen mendime superlative të stilit: “Ne jemi më të mirët e ju jeni më të dobëtit”. Për shembull, Islami në Ballkan ose “Islami ballkanik” është studiuar më tepër nga të tjerët, sesa nga vetë muslimanët e këtyre trojeve, pa marrë parasysh se shkrimet janë munduar ta prezantojnë fotografinë ekzistuese reale të çdo kohe. Ne këtu kemi dy kombe, që në numër më të madh e kanë përvetësuar ose i janë nënshtruar Islamit, të paktën ashtu flasin gjeografia dhe historia: shqiptarët dhe boshnjakët. Kështu, flitet për “Islamin shqiptar” dhe “Islamin boshnjak”.
Politika e Ballkanit, edhe për njërin edhe për tjetrin, ka folur dhe flet si për kërcënim ose rrezik dhe për këtë është organizuar dhe mobilizuar në mënyrë të përpiktë se si ka mundësi të pastrohet nga ky element, ndaj ajo është treguar e ashpër për “ta mbrojtur” veten nga ky rrezik. Këtë rrezik Porta e Lartë, si duket, nuk e ka kuptuar siç duhet; ajo këtë më tepër e ka parë si çështje humanitare, folklorike sesa si çështje strategjike dhe mu për këtë arsye këtë përgjegjësi nuk e ka plotësuar në mënyrë të drejtë. Për fat të keq kjo mendësi akoma ekziston dhe harrohet se fjala është për njerëz që janë lënë si fli për të tjerët. E shpjegimet asnjëherë nuk janë përputhur me kohën e duhur; ndihma është bërë jashtë kohës ose pa kohë dhe koha ka mbetur pa ndihma. Këtë sot e shohim në mënyrë shumë të qartë: Serbia nuk ka lejuar dhe nuk është duke lejuar që të ketë muslimanë serbë; Bullgaria nuk ka lejuar dhe nuk lejon të ketë muslimanë bullgarë; Kroacia dhe kroatët nuk lejojnë të ketë muslimanë kroatë; e njëjta vlen edhe për Greqinë dhe grekët dhe të gjithë këta kanë bërë çmos që ata që kanë kaluar në Islam gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, të rikthehen në fenë e të parëve ose të shfarosen.
Por, të shohim se si muslimanët e Bosnjës, që kanë folur serbisht, kroatisht dhe serbokroatisht, dhe tani së fundmi boshnjakisht ose në gjuhën bosanase, për arsye të mbijetesës kanë lejuar, a janë detyruar të pranojnë gjithçka: të pranojnë histori të re, që nuk përputhet me burimet e tyre tradicionale, kulturore; të pranojnë edhe komb të ri Musliman, që ka qenë paradoks i madh dhe term qesharak për fjalorin në përgjithësi, e të mos flas për fenë e cila nuk mund të pranojë një gjë të tillë? Ata lejuan dhe, disi, “u mburrën” se janë të parët që u ndanë nga Perandoria Osmane dhe iu bashkuan Evropës Moderne, pavarësisht se çka u ka sjellë ajo Evropë “moderne”. Dhe, e pamë atë që pamë: luftë e paparë, gjenocid i gjallë. Është shumë interesante se këtë popull Turqia moderne e sheh me një simpati të madhe, për çka nuk shohim ndonjë mbështetje racionale, përveç asaj nostalgjie shumë primitive dhe nënçmuese, që shpeshherë shkon aq larg sa të thuhet se: “Ja këta janë muslimanët modernë për ne”. Kjo tablo në vetvete ngërthen shumë pyetje: a thua Islami ynë nuk është ai Islam që duhet të jetë? Pse të jenë ata më ‘të dashur’, a thua ngaqë pandërprerë japin shehidë?; apo, ngaqë u ndodh gjenocid dhe asnjëherë nuk marrin shpagimin për këtë, por vetëm humbasin?; apo, për arsye se lejojnë të kenë një “Islam” modern europian, në formën e “islamizimit” të Ismail Raxhi Farukit ose në formën e Tarik Ramadanit “Muslimanë evropianë”?; apo, mos për arsye se nuk ekzistojnë gjasa për rikthimin e historisë dhe “bashkimin” me Turqinë?
Nga ana tjetër, kemi “Islamin shqiptar”, që ka përjetuar dhe është duke përjetuar dramën më të trishtueshme të kohës, vetëm për arsye se shqiptarët ishin njëri ndër popujt që më së tepërmi iu nënshtruan Perandorisë Osmane, dhanë dijetarë, ushtarakë dhe “shërbëtorë” të shumtë. Mu për këtë arsye politika fqinjësore, që e ka rrethuar dhe e rrethon këtë popull, e ka akuzuar dhe e akuzon me tradhti: se ajo e tradhtoi kulturën e lashtë evropiane, ajo e pengoi zhvillimin e traditës së lashtë të “Krishterimit evropian”. Kjo hije e akuzave akoma vazhdon dhe popullin shqiptar e bën të jetë i kujdesshëm ndaj kësaj “të kaluare” dhe shpeshherë e detyron të bëjë gabime. Kjo vërehet edhe në politikën e përditshme shqiptare, e cila vetëm për arsye që të jetë “evlad i lezetshëm” i dikujt, është treguar e pamëshirshme ndaj muslimanëve shqiptarë, duke shkuar aq larg sa të lejojë të copëtohet, t’i merren trojet, të luftohet me luftëra më të ashpra në periudha të ndryshme, e të mos flasim për luftën psikologjike të vazhdueshme. Ne nuk e dimë numrin e saktë të viktimave nga dora serbe-greke-bullgare.
Fatkeqësisht, muslimanëve shqiptarë asnjëherë nuk i është kushtuar vëmendja e duhur nga vendet muslimane, madje as në kohët më të rrezikshme në historinë më të re, kur është dashur të pranojë ndihma humanitare, kryesisht nga shteti modern i Turqisë, Evropa është vërsulur si kuçedër: ç’kërkoni ju me ata!?! Me këtë dua të them se edhe pse populli dhe shteti i Turqisë ka dashur të ndihmojë (gjë që e ka bërë nëpërmjet TIKA-s), është harruar një punë më me rëndësi, e ajo është se çfarë i ka sjellë ndihma e tyre dhe çfarë rezultatesh ka dhënë ajo: pa u futur në atë se në kohën kur është dashur libër, iu është ofruar armë, e në kohën kur i është dashur armë, i është ofruar libër – dhe përfundimisht ka mbetur edhe pa armë edhe pa libër. Edhe tek ne është përdorur e njëjta mendësi si te boshnjakët: kemi lejuar ta flijojmë, ta shesim të shenjtën për të përbotshmen; është duke u bërë një eksperiment i paparë në botë, duke harruar pasojat se çfarë mund të sjellë ky inxhinering shpirtëror që ekziston mbi kokën shqiptare.
Por, këtu kemi një çështje që është mjaft e rëndësishme në raportet e ndërsjella: komunikimi midis këtyre grupeve më të mëdha muslimane. Pa marrë parasysh se “grupi” musliman boshnjak është shumë më i vogël numerikisht se “grupi” musliman shqiptar, që të dy kanë filluar që të mos njihen midis vete, saqë “grupi” i vogël shpeshherë tregohet më i llastuar dhe mburret me atë se janë më “evropianë” dhe se kanë Islam “tradicional boshnjak”. Mu për këtë arsye me vite të tëra nuk është vërejtur asnjë plan për bashkëpunim të rëndësishëm fetar e kulturor. Edhe në hapësirën e “grupit” më të madh shqiptar, pjesë e ish bashkësisë “sllave”, ishte një institucion i quajtur Bashkësi Islame (në Maqedoni dhe Kosovë), që u tregua mjaft e paaftë, në fakt dështoi tërë ajo “mençuri” e lartshënuar, sepse u lejua që muslimanët shqiptarë të mos zhvillohen në mënyrë institucionale dhe kulturore fetare me të njëjtin standard të zhvillimit në Bosnjë. Për këtë çështje natyrisht se faji është i “ulemasë” së këtij vendi, por ky institucion suprem i la ata të izoluar dhe të braktisur, e të mos flasim për projekte të përbashkëta arsimore, kulturore institucionale fetare. E njëjta gjë vazhdon edhe në këtë kohë, edhe pse tashmë i përjetuam ndëshkimet më të mëdha të kohës në këtë shekull; ne si myslimanë, shqiptarë e boshnjakë, sot flasim vetëm me: “merhaba, merhaba”, “mashaAllah?”, “ç’ka” e asgjë tjetër.
Që të plotësohet kjo tablo, këtu po e përmend edhe Komunitetin Musliman të Shqipërisë, që është temë në vete, por që përpos një kohe të shkurtë pas Pavarësisë, kur është orvatur të institucionalizohet, nuk është parë ndonjë sukses, edhe pse ka pasur mundësi, duke pasur parasysh vendin, numrin, shtetin. Dhe, kështu, muslimanët shqiptarë sot mburren se kanë tre prijës fetarë, tre institucione fetare, por pa asnjë strategji të përbashkët për raste “eventuale”, sepse “shpirtrat” e tërbuar akoma vigjilojnë, akoma përgatiten për diçka më të rrezikshme, më të frikshme. Faktikisht, kjo tablo më pengon të flas për një kontakt, për një bashkëpunim më të gjallë, më të mirë e më të disiplinuar midis entitetit boshnjak dhe shqiptar.
Për arsye të rëndësisë dhe disi për ta përshkruar dhimbjen tonë si muslimanë të Ballkanit, këtu do t’i citoj disa mendime të thella të Mesha Selimoviqit: “Ne nuk jemi të askujt. Gjithmonë jemi në një megjë, gjithmonë prikë e i dikujt. Për shekuj me radhë ne kërkohemi dhe njihemi, së shpejti nuk do ta dimë se kush jemi. Jetojmë në udhëkryq të botëve, në kufirin e popujve, gjithmonë fajtorë për dikë. Mbi ne thyhen valët e historisë si mbi një shkëmb deti… Jemi të shkëputur, por të papranuar. Si një krah lumi të cilin përmbytja e ka ndarë nga e ëma dhe nuk ka më as rrjedhë, as derdhje; tepër i vogël për të qenë liqen, e tepër i madh për ta thithur toka… Të tjerët na bëjnë nder të ecim nën flamurin e tyre, ngase nuk kemi tonin. Na mashtrojnë kur kanë nevojë për ne, e na flakin tëhu pasi e kryejmë shërbimin tonë… Çdokush mendon se mund t’ua hedhë të gjithë të tjerëve dhe këtu qëndron fatkeqësia jonë… Dje ishim ajo që sot dëshirojmë ta harrojmë, e nuk u bëmë as diçka tjetër. Me ndjenjë të paqartë turpi për shkak të fajësisë dhe braktisjes, nuk dëshirojmë të shohim prapa, e nuk kemi kur të shohim përpara… Fatkeqësia është se jemi dashuruar në këtë kllapi tonën dhe nuk duam të dalim nga ajo, e gjithçka paguhet – madje edhe kjo dashuri… A thua vallë ne jemi rastësisht aq shumë të butë dhe të vrazhdë, të përkëdhelur dhe të ashpër?… A fshihemi rastësisht pas dashurisë si siguri e vetme në këtë paqartësi, përse?… Ngaqë nuk jemi indiferentë. E kur nuk jemi indiferentë, do të thotë se jemi të ndershëm. E kur jemi të ndershëm – lum çmenduria jonë!”.
Siç thashë në fillim, të flasësh për Ballkanin është shumë vështirë, sepse për një çast duhet të jesh “joracional”, të jesh “i çmendur”; përndryshe do të duhet të thuash pandërprerë: ja, por, pse, si, çka, nuk e di, e di, nuk e keni përjetuar, ju nuk e kuptoni, e kështu me radhë. Ballkani është vendi më “i përshtatshëm” për planifikimet më të ashpra, më të pamëshirshme, më antinjerëzore, që ka mundësi të konkretizohen në këtë fqinjësi evropiane, ku më nuk ka individë, por vetëm kombe dhe objekte kulti.