Deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe kryetar i Komisionit për Siguri në Parlamentin shqiptar, Klevis Balliu, ka reaguar në mbështetje të protestës së studentëve shqiptarë në Shkup, duke e cilësuar atë si një akt kurajoz dhe patriotik në mbrojtje të gjuhës shqipe. Në një reagim publik, Balliu thekson se protesta e studentëve përfaqëson një qëndrim të fortë në mbrojtje të identitetit kombëtar, duke vlerësuar angazhimin e të rinjve për të drejtat e tyre.
“Protesta e studentëve shqiptarë është një akt kurajoz dhe thellësisht patriotik që tregon vlerat, guximin dhe dashurinë e të rinjve tanë për kombin dhe identitetin tonë,” shprehet ai. Sipas tij, gjuha shqipe nuk është thjesht mjet komunikimi, por përbën themelin e identitetit, historisë dhe dinjitetit kombëtar të shqiptarëve. Ai vlerëson se mohimi i të drejtës së studentëve për të dhënë provimet në gjuhën shqipe përbën shkelje të Marrëveshjes së Ohrit dhe të të drejtave themelore. “Mohimi i kësaj të drejte është një shkelje flagrante dhe një padrejtësi ndaj një populli në vendin e vet,” thekson Balliu.
Deputeti shqiptar paralajmëron se çdo ndërhyrje ndaj gjuhës shqipe cenon jo vetëm të drejtat e shqiptarëve, por edhe bashkëjetesën dhe stabilitetin në rajon.
“Sulmi ndaj gjuhës shqipe është sulm ndaj së vërtetës dhe stabilitetit,” deklaron ai, duke shtuar se askush nuk mund të kufizojë të drejtën e shqiptarëve për përdorimin e gjuhës së tyre. Në reagimin e tij, Balliu vlerëson se protesta e studentëve në Shkup ka një jehonë më të gjerë, duke frymëzuar shqiptarët në gjithë rajonin që të bashkohen rreth mbrojtjes së identitetit dhe dinjitetit kombëtar.
Në fund, ai shpreh mbështetje të plotë për studentët shqiptarë, duke i inkurajuar ata të vazhdojnë qëndrimin e tyre në mbrojtje të të drejtave të garantuara.


