Ka nisur mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare i mbledhur nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani, për të diskutuar mbi përgjegjësitë institucionale në lidhje me mos arrestimin e Klement Balilit dhe situatës kriminale në vend.
Kreu i shtetit, ka pranuar kërkesën e kryeparlamentarit Meta bërë disa ditë më parë për këtë çështje “të rëndë” të sigurisë kombëtare në vend siç e ka cilësuar shpesh.
Në këtë mbledhje nuk do të marrë pjesë kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Kosovë. Një ditë më para Presidenca refuzoi të pranojë autorizimin e zv/kryeministrit Peleshi për të marrë pjesë në këtë mbledhje.
Presidenca arsyetonte se nuk ka asnjë arsye objektive që kreu i ekzekutivit të mungojë në këtë mbledhje.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, janë të pranishëm presidenti Nishani, kryeparlamentari Meta,Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, ministri i Brendshëm Tahiri, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ministri i Energjetikës Gjiknuri, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ministri i ri i Drejtësisë Petrit Vasili, ministri i Financave Ahmetaj, kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare Spartak Braho, kreu i SHISH-it Visho Ajazi si dhe përfaqësues nga shtabi i ushtrisë.
3 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)