Sipas Mickoskit, fshirja e balancuesit është bazuar në rekomandimin e procesit skrining të BE-së, dhe teza se komuniteteve po u hiqen të drejtat janë të pasakta dhe vijnë nga politikanë të cilët kanë grabitur qytetarët pa dallim etnie.
Koalicioni VLEN thotë se balancuesi do të zëvendësohet ende me ligj të posaçëm për përfaqësim të drejtë, si dhe inspektor të dedikuar që do të mbikëqyrë institucionet nëse nuk respektohet përfaqësimi i drejtë.
Taravari thotë se kërkohet një zëvendësim i përshtatshëm i balancuesit përmes një zgjidhjeje ligjore që do të zbatohej për formimin e ministrive të reja dhe do të bënte sistemimin aty ku do të ishte e nevojshme. Ata që marrin rrogë dhe nuk punojnë do të shkarkohen, tha Taravari dhe bëri të ditur se drejtorët ekonomikë të klinikave do të hiqen.
“Të gjithë ata që shkojnë në punë, askush nuk do të shkarkohet, ju garantoj. Dhe ata që nuk shkojnë në punë, po. Do të ketë një sistemim të punonjësve në institucionet ku ka nevojë. Ju siguroj që personat që janë të punësuar dhe punojnë asnjëri prej tyre nuk do të shkarkohet”, thotë Taravari.
Ligji i ri për përfaqësim të barabartë do të thotë ngritje në detyrë dhe do të garantojë barazi dhe meritokraci gjatë punësimit, kush nuk e respekton do të përballet me ligjin, thotë zëvendëskryeministri Izet Mexhiti.
“Nëse e krahasojmë mekanizmin me ligjin, nuk është heqje por përmirësim. Dhe në të kaluarën na është dashur të zëvendësojmë mekanizmin me një ligj sepse ligji ka një peshë tjetër ligjore. Ligji detyron edhe ata që duan edhe ata që nuk duan ta zbatojnë sepse nëse nuk respektoni ligjin do të përballeni me shkelje ligjore. A është drejtori shqiptar apo maqedonas, qoftë ministri shqiptar apo maqedonas”, tha Izet Mexhiti.
Balancuesi ka për detyrë të garantojë barazinë etnike gjatë punësimit në sektorin publik, bazuar në regjistrimin e fundit të popullsisë. Çdo institucion kur publikon një konkurs për punësim, në fund të konkursit duhet të theksojë se nga cili komunitet etnik duhet të jetë personi që aplikon për punë. Mirëpo, kjo është keqpërdorur vazhdimisht ndaj qytetarëve. Shumë maqedonas apo të tjerë u deklaruan si shqiptarë dhe anasjelltas.