Abil Baush
Në një kohë të premtimeve të fuqishme për një rilindje ekonomike dhe pritshmërive nga publiku, ribalanci i propozuar i Buxhetit për vitin 2025 nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, u paraqit si një test për besueshmërinë e strategjisë ekonomike të Qeverisë. Në vend të një hapi të guximshëm përpara, shohim një korrigjim të moderuar teknik në formë, por i paqartë dhe i dobët në përmbajtje.
Ribalanci parashikon rritje të të ardhurave për rreth 1%, por kjo rritje nuk vjen si rezultat i rritjes ekonomike apo reformës fiskale, por përmes burimeve jotatimore si tarifat administrative dhe të ardhurat nga institucionet publike. Struktura tatimore mbetet e pandryshuar, pa shenja të modernizimit apo shpërndarjes së drejtë. Kjo tregon për mungesë vizioni afatgjatë dhe reforme në financat publike.
Edhe pse ribalanci formalisht i rrit shpenzimet, natyra thelbësore e atyre shpenzimeve është e diskutueshme. Pjesa më e madhe e mjeteve të rialokuara shkon për obligime të vazhdueshme pensione, financim institucional, shpenzime të tranzicionit dhe jo për investime produktive. Një qasje e tillë është tipike për ruajtjen e stabilitetit politik, por jo për zhvillim ekonomik.
Buxheti parashikon 47.5 miliardë denarë për investime kapitale një shifër që duket mbresëlënëse, por që mungon ndarja e detajuar dhe garancia për realizim efikas. Të dhënat historike tregojnë për realizim të dobët të investimeve kapitale, veçanërisht në infrastrukturë me efekt të lartë shumëfishues. Pa projekte të sakta, indikatorë dhe transparencë, këto investime rrezikojnë të mbeten vetëm “të planifikuara” në letër.
Deficiti mbahet në nivelin prej 4% të BPV-së, që në shikim të parë duket i moderuar. Megjithatë, në realitet kjo nënkupton se shteti vazhdon të huazojë për të mbuluar shpenzimet bazë. Në mungesë të një plani të qartë për uljen e borxhit publik dhe ristrukturimin e politikës fiskale, stabiliteti mbetet i brishtë dhe i varur nga kreditë e jashtme.
Ribalanci i Buxhetit për vitin 2025 përfaqëson një mundësi serioze të humbur për një transformim të thellë ekonomik. Në vend që të shfrytëzohej për një reformë strategjike të buxhetimit përmes futjes së financimit programor të bazuar në rezultate, sërish aplikohet një qasje klasike, pa një vizion të qartë. Po ashtu, mungon plotësisht integrimi i transformimit digjital, i cili është i domosdoshëm për një administratë publike moderne dhe efikase. Buxheti nuk ofron as mekanizma për mbështetjen e inovacionit, sipërmarrjes rinore dhe kërkimit e zhvillimit faktorë kyç për rritjen ekonomike. Së fundmi, tranzicioni i gjelbër është plotësisht i neglizhuar, pa investime të qarta në efikasitet energjetik, ekonomi qarkulluese apo ulje të ndotjes, edhe pse këto janë prioritet globale dhe evropiane.
Për të përmirësuar politikën fiskale dhe për ta transformuar buxhetin në një instrument të vërtetë zhvillimi, është e domosdoshme të zbatohen pesë drejtime kyçe: së pari, futja e buxhetimit programor të bazuar në rezultate dhe indikatorë të qartë për efikasitetin; së dyti, zbatimi i një reforme kapitale të orientuar drejt investimeve me kthim afatgjatë socio-ekonomik; së treti, reduktimi sistematik i klientelizmit dhe eliminimi i shpenzimeve joefikase të mjeteve publike; së katërti, prioritetizimi i sektorëve produktivë si inovacioni, transformimi digjital dhe arsimi; dhe së pesti, vendosja e një kornize fiskale transparente dhe llogaridhënëse përmes përfshirjes së ekspertëve dhe shoqërisë civile në proceset buxhetore.
Në mungesë të këtyre drejtimeve strategjike, ribalanci i propozuar për vitin 2025, pavarësisht racionalitetit të tij teknik, nuk ofron një bazë të qëndrueshme për një kthesë ekonomike. Nëse qëllimi i tij kryesor është vetëm mbyllja administrative e vitit fiskal, atëherë mund të konsiderohet funksional. Megjithatë, nëse synojmë zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm, ky ribalanc mbetet një dokument i kufizuar që riprodhon strukturën ekzistuese të shpenzimeve, pa asnjë ambicie për ta riformësuar paradigmën ekonomike në të cilën ndodhet shteti.