Kosova ka rënë për 24 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, duke u renditur e 99-ta nga 180 shtete.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami fajëson Qeverinë Kurti për këtë regres, duke e akuzuar për presion ndaj mediave dhe kërkon masa urgjente për të mbrojtur gazetarinë e lirë dhe institucionet mediatike.
Liria e mediave, në rënie të lirë: Kosova renditet e 99-ta në raportin e Reporterëve pa Kufij
“KOSOVA në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit ka rënë për 24 vende, ky është rezultat i qeverisë Kurti që gjatë tërë mandatit zgjedhi propagandën mbi transparencën, kontrollin mbi kritikën dhe frikën mbi lirinë. Sipas raportit të Reporterëve pa Kufij, Kosova bie nga pozita e 75-të në pozitën e 99-të. Kjo rënie është alarm për çdo qytetar që beson në demokraci.
Ky nuk është vetëm një indeks në një raport ndërkombëtar, është pasqyrë e katër viteve ku pushteti i Kurtit ka sulmuar gazetarët, ka denigruar mediat kritike dhe ka tentuar të heshtë fjalën e lirë.
Gjatë katër viteve të fundit gazetarët janë etiketuar si “bashkëpunëtorë të Serbisë”, janë përballur me padi, kërcënime, bojkote dhe fyerje të përditshme. Ky diskurs sot është bërë normë dhe është rezultat i sjelljes katërvjeçare të LVV-së në pushtet. Ky diskurs e kjo sjellje është brejtësi që po shkatërron themelet e demokracisë. Sot, Kosova renditet e 99-ta në mesin e 180 shteteve aty afër me Mongolinë dhe Mozambikun, kjo tregon se shoqëria jonë sot është më e frikësuar dhe më pak e lirë. Demokracia nuk ndërtohet duke heshtur gazetarët, ajo fillon pikërisht aty ku pushteti pyetet dhe përgjigjet”, ka shkruar Bajrami.
Bajrami ka shtuar se nëse nuk ndërmerren masa konkrete, Kosova do të vazhdojë të degradojë në çdo fushë, përfshirë edhe demokracinë.
Ajo deklaroi se për katër vite, qeveria aktuale ka zhvilluar një diskurs që ka ndikuar negativisht në klimën e të bërit gazetari në Kosovë, ku mediat kritike janë etiketuar, gazetarët janë kërcënuar dhe fjala e lirë është tentuar të heshtet.
“Derisa LVV po mban peng institucionet, si vend po degradojmë në çdo sferë. Prandaj, është me rëndësi konstituimi i institucioneve që merren menjëherë me problemet e qytetarëve dhe të gazetarëve. S’ka demokraci aty ku s’ka media të lira.
Duhen veprime urgjente si: Depolitizim i KPM-së, Hartimin e ligjit për KPM-në në bashkpunim me Këshillin e Evropës dhe shoqërinë civile, Depolitizim i bordit dhe menaxhmentit të RTK-së, Ngritje e buxhetit për RTK-në, Ashpërsim i dënimeve për ata që sulmojnë gazetarët, Inkurajim dhe përkrahje për gazetarinë hulumtuese, janë kontribues të mëdhenj në luftën kundër korrupsionit”, ka shkruar më tutje Bajrami.