Nënkryetari i BDI-së dhe kandidati i mundshëm i Frontit Kombëtar për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Meidani.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rexhepi ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si dhe për kontributin e ndërsjellë në forcimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërshtetërore.
“Sot takova ambasadorin e Shqipërisë, z. Denion Meidani. Diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona dhe kontributin që ne mund të japim për zhvillimin dhe avancimin e këtyre marrëdhënieve,” ka shkruar Rexhepi.
Ai gjithashtu ka theksuar rolin e pazëvendësueshëm të shtetit shqiptar në mbështetjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Shteti shqiptar ka qenë dhe do të mbetet një përkrahës i përkushtuar i vendit tonë dhe një garantues i avancimit të statusit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.” shton më tej Rexhepi.