Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj 57-vjeçarit me inicialet Z.Ç. nga komuna e Novo Sellës, i cili ka sulmuar brutalisht vajzën e tij 11-vjeçare dhe gjithë ngjarjen e ka regjistruar me telefonin e tij mobil.
Ngjarja ka ndodhur para dy ditësh, në oborrin e shtëpisë së tij. Pas publikimit të videos në rrjetet sociale, policia nga SPB Strumicë ka ndërmarrë menjëherë masa, e ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin, i cili gjatë marrjes në pyetje e ka pranuar veprën.
Vajza është ekzaminuar në Qendrën Mjekësore të Strumicës, ku janë konstatuar lëndime trupore – skuqje në të dy duart në pjesën e kyçeve.
Në procedurë është përfshirë edhe Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale – Strumicë, e cila po ndërmerr masa të mëtejshme për mbrojtjen e fëmijës së mitur.