Zëdhënësja e Qeverisë së RMV-së, Venera Azizi, në një status në Facebook ka ngritur disa pyetje akuzuese për BDI-në.
“22 vjet të tëra dhe çfarë bënë e çfarë i sollën qytetarëve shqiptarë? Me politikat e tyre ndikuan që mijëra të rinj ta braktisin vendin, mijëra shtëpi të mbesin bosh, mijëra nëna e baballarë t’i mbajnë sytë drejt portave duke pritur kthimin e fëmijëve të tyre.
Ndërsa fëmijët e atyre që për 22 vjet s’lanë gurë e dru pa e lëvizur për interesat e tyre personale, familjare dhe grupore u kthyen si milionerë”, ka shkruar Azizi.
Ajo, ka shkruar edhe për projektet në 7 muajt e parë të qeverisjes së VLEN-it me VMRO-në.
“Sot pas 7 muajve nga formimi i qeverisë së re vendosëm në dispozicion edhe 250 milionë euro për të gjitha komunat pa dallime partiake e politike.
Ne edhe sot dëshmuam se kemi ndërmend vetëm të krijojmë kushte sa më të mira për secilin qytetar, të rregullojmë rrugë e infrastrukturë nëntokësore dhe të ndërtojmë shkolla, çerdhe, biblioteka, salla sporti, pishina, të krijojmë kushte sa më të mira për fëmijët e gjithsecilit, për rininë, për studentët dhe për zvillimin e bizneseve lokale. Sepse ne jemi NDRYSHE!”, ka shkruar Azizi.