Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka prezantuar sot rezultatet e para të një prej proceseve më të rëndësishme reformuese në sistemin shëndetësor – analizën e plotë të burimeve njerëzore në institucionet publike dhe private në gjithë vendin. Ai theksoi se shëndetësia “nuk mund të reformohet me sy mbyllur”, prandaj ky proces është hapi themelor drejt një sistemi që funksionon si “organizëm i gjallë” dhe jo si një bashkësi e fragmentuar institucionesh raporton Tetovasot.
Sipas të dhënave të siguruara përmes verifikimit të kryqëzuar nga Regjistri Qendror, Agjencia e Punësimit, Odat Profesionale, Drejtoria për Shëndetësi Elektronike dhe FSSHM, në vend aktualisht ekzistojnë 3.779 institucione shëndetësore, prej të cilave 2.942 janë pjesë e rrjetit shëndetësor. Në total, në sektorin publik dhe privat punojnë 32.383 persona, ndërsa analiza e detajuar jep një pasqyrë të shpërndarjes së mjekëve, infermierëve dhe personelit tjetër në çdo nivel të kujdesit shëndetësor dhe në çdo komunë.
Ministri Aliu theksoi se për herë të parë po vendoset baza e një regjistri dinamik të punonjësve të shëndetësisë, i cili do të ofrojë të dhëna në kohë reale për punësimet, pensionimet, specializimet dhe transferimet. “Si inxhinier, besoj se sistemet mund të ndryshohen vetëm kur maten. Ky është themeli i reformës,” u shpreh ai informon Tetovasot.
Ai theksoi se efektet direkte për qytetarët do të jenë të dukshme: punësimet e reja do të bëhen sipas nevojave reale të komunave dhe institucioneve; shëndetësia primare do të forcohet aty ku ka mungesa; ndërsa do të eliminohet pabarazia në shpërndarjen e mjekëve për banor.
“Ky është vetëm fillimi,” – deklaroi Aliu – “por për herë të parë po ndërtojmë një instrument që na lejon të shohim qartë, të planifikojmë saktë dhe të veprojmë drejt përmirësimit të shërbimeve shëndetësore për çdo qytetar.”TS


