Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i ka pyetur këshilltarët e tij ushtarakë nëse plani i shpërthimit të bombës “bunker buster” mund të shkatërrojë objektin bërthamor “Fordo” të Iranit, transmeton Anadolu.
Sipas portalit “Axios”, zyrtarë të paidentifikuar amerikanë thanë se këshilltarët ushtarakë të Trumpit dhe Washingtoni po shqyrtojnë përfshirjen e mundshme në sulmet ndaj Iranit.
“Nëse SHBA-ja i bashkohet Izraelit në sulmet e tij dhe hedhin bomba kundër bunkerëve, a do të mjaftonte kjo për të shkatërruar uzinën bërthamore në ‘Fordo’?”, pyetën zyrtarët dhe se kjo pyetje është në mendjen e Trumpit.
Nga zyrtarët Pentagonit u tha se këto bomba do të funksiononin ndërkaq nuk është e qartë nëse Trumpi është i bindur.
Zyrtarët thanë se bombat amerikane që shkatërrojnë bunkerët nuk janë përdorur kurrë më parë, por janë testuar shumë herë gjatë procesit të zhvillimit dhe se SHBA-ja mund të nis një sulm të saktë nëse është e nevojshme dhe nëse Trump e sheh të arsyeshme, me qëllim që ta detyrojnë Iranin të braktisë programin e tij bërthamor.
Gjithashtu argumentuan se Trump donte të sigurohej që një sulm i mundshëm nuk do ta tërhiqte SHBA-në në një luftë të gjatë në Lindjen e Mesme dhe se SHBA-ja është e gatshme, por se nuk kishte ende nevojë për një sulm.
– Trump “u bind me idenë e një sulmi”
Sipas ABC News, zyrtari, emri i të cilit nuk u bë i ditur, tha se Trump ishte dakord me idenë e një sulmi për të eliminuar qendrën bërthamore “Fordo” dhe argumentoi se kjo do të kërkonte sulme të shumëfishta, jo vetëm një.
Zyrtari pohoi se po bëheshin përgatitje në përputhje me këtë ide.