Eurokomisari për Emigrim, për Punë të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitros Avramopulos konsideron se Komisioni Evropian është i qartë kur bëhet fjalë për hapjen e negociatave aderuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por vendimi për vazhdimin e procesit eurointegrues për të dy vendet është në duar të vendeve anëtare.
“Të jemi shumë të kujdesshëm me Ballkanin, Të mos lejojmë Ballkani të riballkanizohet si në të kaluarën”, paralajmëroi Avramopullos.
Këshilli i BE-së në takimin e djeshëm në Luksemburg nuk arriti marrëveshje rreth hapave vijues në procesin e zgjerimit të BE-së. Vendimin për atë nëse dhe në cilën mënyrë Shkupi dhe Tirana do të fillojnë bisedimet aderuese për anëtarësim do të duhet ta marrin nesër dhe pasnesër liderët e BE-së në takimin në Bruksel.



