Prokuroria ka kërkuar që të bëhet rigjykim për rastin “Monstra”. Kjo është kërkuar nga vet prokurorja që e përfaqëson akuzën, në shkallën e fundit gjyqësore. Në arsyetimin e kërkesës për rigjykim theksohet se ekzistojnë biseda të përgjuara, të cilat pritet të ndikojnë në gjithë procesin gjyqësor.
Ndërkohë, avokatët thanë se akuza e deritashme nuk qëndrojnë. Njëri prej avokatëve, Naser Raufi ka shpjeguar çështjen në një paraqitje të drejtpërdrejtë në edicionin e lajmeve në Televizionin SHENJA.
“Janë disa çështje të rëndësishme në këtë rast. Dëshmitarin i koduar, të cilin e kemi diskredituar, i cili nuk e tregon të vërtetën për rastin. Është vetura Opel Omega, e cila asnjëherë nuk iu dha avokatëve edhe familjarëve, e cila edhe nëse ekziston, nuk ka qenë e përfshirë në rast. Deri tash, Prokuroria nuk i kishte pranuar kërkesat për ekpertiza paralele të provave”, ka deklaruar Raufi.
Ai ka deklaruar se provat, bisedat e përgjuara, i kanë kërkuar disa herë, ndërsa beson se provat që do të vijnë prej PSP-së do të dëshmojnë për pafajësinë e të akuzuarve.
Ndërkohë, për pranimin e kërkesës së Prokurorisë për rigjykim do të vendosë këshilli prej pesë gjykatësve. /SHENJA/

