Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, sot është vënë në mbrojtje të tre deputetëtve të VMRO-DPMNE-së, sepse gjykata dhe policia kanë shkelur ligjin gjatë arrestimit të tyre.
Krste Mukovski, Luben Arnaudov dhe Zhaklina Peshevska janë dërguar në gjykatë me pranga në duar edhe pse në atë kohë gëzonin imunitet, tha sot Avokati i Popullit, Memeti.
Ai tha se zyrtarët e policisë është dashur të refuzojnë urdhërat e eprorëve të tyre për arrestimin e deputetëve, sepse ata gëzojnë imunitet.
Për këtë shkelje të ligjit Avokati i Popullit, ka informuar Ministrinë e Punëve të Brendshme duke parashtruar edhe disa pyetje, për të cilat nuk janë përgjigjur edhe pse kanë kaluar dy javë.
Memeti, megjithatë ka vlerësuar si shumë pozitiv intensifikimin e bashkëpunimit mes policisë dhe Avokatit të Popullit.
Sipas tij, deputetët kanë të drejtë të padisin shtetin e Maqedonisë për këtë shkelje.
Ixhet Memeti , e ka hapur këtë procedurë pas kërkesës së firmosur nga 33 deputet të VMRO-DPMNE-së që është dorëzuar në zyrat e tij.
Ndërkohë, Avokati i Popullit sqaron se qëllimi i informimit të opinionit për këtë rast nuk ka të bëjë me “ kush kujt I ka bërë më shumë dëm”, por për të rritur tek qytetarët bindjen se institucionet duhet të jenë funksionale dhe se ligji vlen për të gjithë njësoj.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com