Nuk kam bë terror, nuk e kam rrezikuar sigurinë e popullit maqedonas. Është shkelur ligji dhe Kushtetuta me arrestimin tim. Për policinë nuk kishte peshë imuniteti im. Më kanë mbajtur 16 orë me pranga në duar”, tha deputetja e VMRO-DPMNE-së, Zhaklin Peshevska, në seancën e sotme publike në Gjykatën e Apelit në Shkupit. Peshevska, e cila gjendet në arrest shtëpiak për shkak të ngjarjeve të 27 prillit, tha se nuk ka kryer asnjë vepër penale, transmeton Makfax.
“Nuk mundem të përsëris vepër që nuk e kam bërë. Nuk e kam ndërmend të arratisem dhe të ndikoj ndaj dëshmitarëve. I kam ofruar të dy pasaportat nëse ka nevojë. Asnjë ditë nuk kam munguar në Kuvend. Jam nënë e tre fëmijëve adoleshentë. Jetoj me vjehrrin dhe vjehrrën plakë, për të cilët kujdesem. Është rrezikuar gjendja ime shëndetësore, por edhe e fëmijëve të mij, të cilët janë nën trajtim të psikologëve”, theksoi ajo, transmeton Gazeta Lajm.
Ajo u deklarua e pafajshme dhe kërkoi t’i ndërpritet arresti shtëpiak, kurse avokati i saj falënderoi Avokatin e Popullit, Ixhet Mehmeti.
“Dëshiroj ta falënderoj Avokatin e Popullit Ixhet Memeti, i cili konstatoi se deputetja është arrestuar në mënyrë të paligjshme”, tha avokati i deputetes së VMRO-së, Borko Tasevski.
Duke shkelur të drejtat e saj, shkelen edhe të drejtat e njeriut të mijëra qytetarëve që kanë votuar që ajo të jetë deputete, shtoi avokati.