Me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, Avokati i Popullit i Maqedonisë, Ixhet Memeti, ka lëshuar një komunikatë në opinion ku ka shprehur shqetësimin e tij të madh për atë siç thotë se Republika e Maqedonisë këtë ditë e shënon me politikë të kufijve të mbyllur për refugjatët, përkatësisht njerëzit të cilët kanë qenë të detyruar t’i braktisin shtëpitë e tyre për shkak të konflikteve ose persekutimeve, raporton Anadolu Agency (AA).
“Në këtë drejtim, Avokati i Popullit u bën thirrje institucioneve kompetente që të respektojnë plotësisht të drejtat e këtyre personave, në përputhje me dokumentet ndërkombëtare dhe në veçanti Konventën mbi statusin e Refugjatëve prej vitit 1951 si dhe Protokollin prej vitit 1967”, thuhet në komunikatën e publikuar në të cilën Avokati i Popullit apelon për solidaritet më të madh me refugjatët, me qëllim që të ruhet dinjiteti i tyre njerëzor dhe të ndjehen përsëri të sigurt dhe të pranuar në mjedisin e ri.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2000 e shpalli 20 qershorin si Ditën Botërore të Refugjatëve, ditë e cila shënohet në pothuajse të gjitha pjesët e botës.
Dita Botërore e Refugjatët është shpallur me një qëllim të vetëm për “të tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar për pozitën e vështirë të njerëzve të zhvendosur me dhunë anembanë botës’’ në një situatë kur numri i njerëzve që jetojnë larg nga shtëpitë e tyre rritet në mënyrë dramatike çdo vit.

