Avokati Hilmi Leka: Harta e re gjyqësore, rrezikon të hedhë në erë sistemin e drejtësisë, qytetarët s’do gjejnë kurrë zgjidhje

Avokati Hilmi Leka: Harta e re gjyqësore, rrezikon të hedhë në erë sistemin e drejtësisë, qytetarët s’do gjejnë kurrë zgjidhje

Harta e re Gjyqësore e miratuar nga KLGJ po kundërshtohet nga avokatët, pasi sipas tyre cenon aksesin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Avokati Ilmi Leka, në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Abc Live” në Abc u shpreh se kjo është një reformë e nxituar e cila rrezikon të hedhë në erë sistemin e drejtësisë.

Leka: Është një reformë e nxituar, është një reformë e cila vjen në një moment shumë kritik dhe problematik për sistemin e drejtësisë. Kjo reformë rrezikon ta çojë sistemin drejtësisë në kolaps ose ta hedhë në erë atë. Është marrë një model i gabuar dhe për këtë arsye Dhoma e Avokatisë bojkotoi për 4 ditë seancat. Duhet të jemi të gjithë të unifikuar për shkak të interesat parësor që është ai i individit.

Harta e re parashikon shkrirjen e Gjykatave të Apelit në një të vetme, në Tiranë. Sipas avokatit Leka, me këtë hartë qytetarët rrezikojnë që mos marrin kurrë zgjidhje. Ai shtoi se në Gjykata ka ende çështje të mbartura të para 7 viteve.

Leka: Ka një problem shumë të madh. Sot në Gjykatën Administrative të Apelit po gjykohen çështje të 2016. Kjo reformë parashikon që të ikin 6 gjykata të Apelit dhe të bëhet një gjykatë. Ne po ndikim të njëjtin shembull. Jemi në vitin 2022 dhe kemi ende çështje të mbartura të 7 viteve. Parësore është aksesi i individit në drejtësi. Por me këtë reformë individi nuk do të gjejë kurrë zgjidhje.

Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi hartën e re gjyqësore më 10 qershor. Tashmë vendi do të ketë 13 gjykata të shkallës së parë, 1 gjykatë Administrative dhe 1 gjykatë Apeli.

KLGJ ka miratuar draftin i cili pritet që të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Financave./Abcnews.al/