Ndërtimi i autorrugës Shkup-Bllacë figuron që në programin zgjedhor të BDI-së për zgjedhjet e vitit 2008. Asokohe, ish-zëvendëskryeministri Musa Xhaferi ishte ndër më të zëshmit që e premtonte këtë segment rrugor, me tone bindëse e plot siguri.
Që prej atëherë, ky premtim është përsëritur vazhdimisht, si një refren elektoral që nuk njeh as skadencë dhe as ndryshim. Si shumëçka tjetër nga kjo parti, edhe kjo çështje është rrotulluar në vend për afro tri dekada, përjashto ndoshta mandatin 2002–2006.
Premtimet e vitit 2008, të formuluara dikur me zell propagandistik, mund t’i gjeni copy-paste në çdo program zgjedhor që nga ajo kohë, madje edhe në fushatën e vitit 2024. Ironikisht, këtë herë nuk pati as përpjekje për të hartuar një dokument të ri. Ndoshta BDI mendoi se tashmë votuesit i dinë përmendësh këto premtime të ricikluara, ndaj nuk deshën të harxhojnë as letër.
BDI ka qenë mjeshtre në përdorimin e kohës së ardhme. Frazat si “Ne do të…” u bënë emblematike për stilin e saj politik. Por, për fat të keq të shqiptarëve, në të folurën e përfaqësuesve të saj nuk dëgjuam kurrë: “Ne e bëmë…” apo “Ne e përmbushëm…”.
Në çdo fushatë ka premtuar biblioteka, spitale, rrugë, terrene sportive, stadiume dhe fabrika automjetesh. Sa e pabesueshme, aq edhe tragjike se si nuk ka realizuar asnjë nga këto premtime. Asnjë hiç. Vetëm bibliotekën e Tetovës e gjejmë si zë buxhetor për çdo vit, në çdo buxhet vjetor 8 herë radhas.
Le të shpresojmë se një dekadë në opozitë do t’i mjaftojë kësaj partie për reflektim. Ndoshta atëherë do të mësojnë të flasin edhe në kohën e kryer.