Me çdo lëshim të segmentit të autostradës Kërçovë-Ohër, krijohen probleme për banorët që jetojnë në fshatrat pranë autostradës. Problemet lindin për shkak të rrugëve hyrëse të pandërtuara ose të ndërtuara në mënyrë jo të përshtatshme dhe mungesës së lidhjeve të duhura për fshatrat, thotë kryetari i Komunës së Debërcës, Zoran Nogaçeski, përmes territorit të së cilës kalon pjesa më e madhe e segmentit të autostradës.
“Me hapjen e segmentit të parë, u krijuan disa probleme për fshatrat Cërvena Vodë dhe Novo Sellë, të cilët nuk kanë dhe ende nuk kanë lidhje të përshtatshme, sepse nuk janë ndërtuar rrugët hyrëse drejt tyre. Tani u hap edhe segmenti tjetër nga Klimeçani deri në Ohër, pa përfshirë Trebenishtin. Po krijohen probleme të reja për fshatrat Orovnik dhe Gorencë, ndërsa me përfundimin e pjesës pranë Trebenishtit do të krijohen probleme edhe për Trebenishtin, Volinën dhe Mesheishtin, sepse vetë hyrjet që janë lënë për autostradën nuk janë standarde”, tha Zoran Nogaçeski – kryetar i Debërcës.
Edhe rruga hyrëse e ndërtuar për kryqëzimin pranë Aeroportit është jashtë standardeve dhe e papërshtatshme për pjesën më të madhe të fshatrave që gjenden në atë zonë, thotë Nogaçeski, për shkak të së cilës banorët tani janë të detyruar të udhëtojnë edhe disa kilometra shtesë për t’u lidhur me autostradën, dhe më pas për të arritur në destinacionin përfundimtar, Ohër.
“Të gjitha problemet lindën me ndalimin e ndërtimit të segmentit nga Trebenishti deri në Qaf-Thanë , sepse pjesa më e madhe e këtyre problemeve me lidhjen e këtyre vendbanimeve ishte parashikuar të zgjidhej me këtë kryqëzim të madh para Trebenishtit. Dhe tani, me vendosjen e moratoriumit për shkak të qëndrimeve të UNESCO-s, po krijohen këto probleme shtesë për vendbanimet”, shtoi ai.
Nga ndërmarrja publike e rrugëve shtetërore thonë se janë paraparë dhe po ndërtohen rrugë qasëse në më shumë pika rreth autostradës.
„Lëshimi në përdorim i pjesëve të autostradës Kërçovë-Ohër në segmentet 3,4 dhe 5 është me regjim të përkohshëm. Pjesa më e madhe e rrugëve të përmendura janë të ndërtuara dhe asfaltuara. Mbeten edhe disa për t’u përfunduar “, thonë nga “Rrugët Shtetërore”.
Afati i fundit për hapjen e plotë dhe përfundimtare të autostradës mbetet i njëjtë, fundi i vitit 2026./Alsat.mk