Asnjë institucion shtetëror deri tani nuk e dënoi, e as që ngriti procedurë për gjuhën e urrejtjes që në fund të vitit të kaluar mund të dëgjohej në protestat para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nga anëtarët dhe simpatizuesit e VMRO-DPMNE-së. Në protesta anëtarë dhe zyrtarë eminentë të kësaj partie bënin thirrje për linç të atyre që nuk mendojnë njëjtë si ata.
“Nuk pres kurrfarë reagimesh nga institucionet, meqë ajo që quhet nxitje, gjuhë e urrejtjes është produkt pikërisht nga njerëzit që janë pjesë e institucioneve. Nuk mund të pritni që ata të dënojnë vetveten. Ne si Këshill i Etikës, si bashkësi mediatike e dënojmë, por ajo që maksimalisht mund ta bëjmë është që të themi se kjo është gjuhë e urrejtjes dhe e palejueshme, mediat ta transmetojnë, e veçanërisht është e palejueshme që institucionet ta injorojnë”, tha Dragan Antonovski, Këshilli i Etikës.
Organizata Civil shprehet se fakti që institucionet deri tani nuk kanë reaguar është vetëm dëshmi se institucionet janë nën kontrollin e fuqishëm të pushtetit.
“Dëgjuam një vokabular që në disa pjesë është thuajse identik me fjalimet fashiste të viteve të 30-ta të shekullit të kaluar. Institucionet në masë të madhe janë nën kontrollin e strukturave që janë destruktive, që përhapin urrejtje dhe tentojnë të shkaktojnë konflikt vetëm për të shpëtuar disa persona nga ajo që quhet drejtësi”, tha Xhabir Derralla, Civil.
Alsat M, gjatë javëve të kaluara tentoi të marrë qëndrime për këtë çështje nga Prokuroria Publike e Marko Zvërlevskit, por deri tani përgjigjet munguan. Me dënim për gjuhën e urrejtjes nuk doli as Presidenti i shtetit Gjorge Ivanov.
https://www.youtube.com/watch?v=fOHE3pAZnNs