Vendi po gjendet në mesin e temperaturave ekstreme, ndërsa autoritetet nuk ofrojnë zgjidhje për kaosin në transportin publik. Përderisa vozitësit ankohen për kushte të këqija të punës dhe kolapsin e pasagjerëve, Këshilli i Qytetit të Shkupit nuk mund të votojë për projektin për blerjen e eko-autobusëve të kryetares Arsovska.
Një peshqir i lagur me ujë rreth qafës nuk i shpëton shoferët e autobusëve nga vapa. Njëri nga shoferët informoi për gazetën KOHA se autobusi ka kondicioner mirëpo nuk funksionon. “Autobusi duket në gjendje të mirë, mirëpo gjithmonë kemi probleme me kondicionerin, ka por nuk funksionon. Pastaj na duhet ti hapim të gjitha dritaret dhe dyert, nga atje vetëm i nxehti hynë brenda. Gjatë kësaj periudhe sëmuremi shumë shpesh, autoritetet duhet të gjejnë zgjidhje. Me këto kushte nuk është e drejtë as për ne e as për pasagjerët”, tha njëri nga shoferët e NQP-së.
Ndërkaq, edhe qytetarët janë shumë të revoltuar për katrahurën që po e përjetojnë në këto ditë me temperatura të larta. Një qytetare që po priste në stacion, tha për gazetën KOHA se ajo shpesh ka qenë dëshmitare e qytetarëve që kanë humbur ndjenjat madje edhe kanë marrë sulme në zemër nga i nxehti i madh dhe pritja me orë nëpër stacione.
“Ta mendosh që me këso lloj kushtesh përballemi në një kryeqytet të një shteti që pretendon të hy në BE, nuk është aspak në rregull. Unë udhëtoj rregullisht, dimrit kemi probleme nga i ftohti, e pastaj nëpër shi që detyrohemi të presim në stacionet gjysmë të shkatërruara. E tani na duhet të presim me orë nëpër stacionet e mbushura me njerëz dhe kosha plehrash të thyera, ku nga kjo vjen erë shumë e keqe, e si përfundim po sëmuremi dhe çdo dit po alivanoset nga një”, tha ajo.
Nga Emergjenca Mjekësore kanë konfirmuar se në dy javët e fundit, sidomos kur është shpallur faza portokalli, kanë pasur 11 ndërhyrje në autobusë apo në stacione. Por ata besojnë se numri është më i madh, pasi ka pasur edhe qytetarë më të rinj të cilët kanë raportuar për kolaps apo lëndim, por që kanë mundur të lëvizin dhe të shkojnë vetë te mjeku.
Megjithatë, nuk mund të thuhet se në një kohë të shkurtër pasagjerët dhe shoferët do të marrin autobusë më të shumtë dhe më të mirë, sepse nuk ka zgjidhje në horizont për kaosin në komunikacionin publik të qytetit. Derisa vozitësit ankohen për kushte të këqija të punës dhe udhëtarëve të fikët, Këshilli i Qytetit të Shkupit nuk mund ta votojë projektin për blerjen e autobusëve të rinj të kryetares aktuale Danela Arsovka për të vazhduar projektin për transport të shpejtë me autobus të paraardhësit të saj Petre Shilegov.
Në Këshill, pati një numër dyshifror përpjekjesh të pasuksesshme për miratimin e blerjes së autobusëve të rinj. Ndërsa, nga VMRO-DPMNE thanë se nuk ka para në buxhetin e qytetit për blerjen e autobusëve të rinj. Ndërkohë, drejtori aktual i NQP-së, Dragi Kushovski, në seancën e javës së kaluar të Këshillit të Qytetit të Shkupit tha se NQP nuk ka mjaft autobusë për të plotësuar orarin veror të vozitjes. Sipas të dhënave që tha ai, aktualisht janë rreth 200 autobusë aktivë, ku 27 prej tyre janë pa kondicioner.
Ndryshe, që nga fillimi i vitit 2024, shoferët e NQP-së kanë qenë në grevë për pagat e papaguara. Problemi u zgjidh me subvencione. Ndërkaq, Qyteti i Shkupit ka përcaktuar 11 milionë euro subvencione për pagat e punëtorëve deri në fund të vitit 2024. (koha.mk)