Qyteti i Shkupit nuk ka organizuar asnjë manifestim në sheshin e qytetit për pritjen e Vitit të Ri 2018. Ky vit, lirshëm mund të llogaritet si një nga vitet më të varfra sa i përket programit për ndërrimin e viteve me arsyetimin, siç thanë nga qyteti i Shkupit, se mjetet e dhuruara nga sponsorët e caktuar do të dhurohen për personat e sëmurë nga mushkëritë e bardha. Zëdhënësi Valon Salihu megjithatë paralajmëroi qytetarët e Shkupit se sot në rrugën Maqedonia ka nisur programi i vitit të ri për fëmijë, i quajtur “Rruga e gëzimit” ku parashihen këngë, shfaqje dhe parada të ndryshme.
‘Kur ta analizosh nga njëra anë e gjithë kjo do të motivojë njëfarë lumturie dhe gëzimi te fëmijët dhe shpresojmë se ai gëzim i fëmijëve, ajo lumturi të reflektohet në sytë e më të vegjëlve. Fatkeqësisht mbrëmjen e Vitit të Ri e kemi anuluar për këtë vit, të hollat të cilat janë mbledh nga sponsorët tanë do të jepen për projekte bamirësie ose më saktësisht për njerëzit e sëmurë nga mushkëritë e bardha, për atë i gjithë përqendrimi i vitit të ri do të jetë te fëmijët’, deklaroi Valon Salihu, zëdhënës i Qytetit të Shkupit, shkruan Alsat-M.
Përveç zbukurimeve nëpër rrugë dhe në sheshin Skëndërbeu, edhe komuna e Çairit nuk ka paraparë program të posaçëm për pritjen e vitit 2018. Nga ky institucion thanë se kanë shtypur kartolina, parat e të cilave do të dhurohen në fshatin e fëmijëve SOS. E vetmja që ka përgatitur një program simbolik është komuna Qendër, prej ku njoftojnë se ky manifestim ka karakter human ku do të mblidhen të holla për një 16 vjeçar për të kryer operacion në Itali. Nga komuna Qendër thonë se më 31 dhjetor me fillim në ora 21 do të nis programi i vitit të ri ku do të interpretojnë grupe muzikore dhe këngëtarë nga vendi.