Ka ndërruar jetë Bashkim Basha, bashkëshorti i viktimës Flutura Basha, të cilët ishin rastësisht të pranishëm në atentatin ndaj Hamza Licit dhe Arlind Bushatit në mesditën e 30 tetor 2024.
67 vjeçari ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në Spitalin Rajonal të Shkodrës, pasi luftoi në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të lëndimeve që mori.
Bashkëshortët Basha ishin duke udhëtuar me motor në vendngjarje ku ndodhi atentati.
Ata nuk u prekën nga breshëria e plumbave, por automjeti në të cilën ndodheshin shënjestrat humbi kontrollin dhe përplasi çiftin e bashkëshortëve.
Hamza Lici mori 13 plumba, duke ndërruar jetë në vend, ndërsa Arlind Bushati mori një plumb në kokë, duke mos mbijetuar dot.
Flutura Basha humbi jetën po atë dite, për shkak të lëndimeve që mori nga përplasja, ndërsa ditën e sotme viktimë mbeti dhe bashkëshorti i saj, Bashkim Basha.
Lici dhe Bushati ndërruan jetë si pasojë e plagëve të marra nga breshëria e plumbave, ndërsa çifti i bashkëshortëve humbën jetën krejt rastësisht dhe pa asnjë faj.
Njoftimi i policisë:
Shkodër/Informacion shtesë.
Në vijim të informacionit të dhënë më 30.10.2024, për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër edhe shtetasi B.B., 67 vjeç, drejtuesi i motomjetit që u përplas nga automjeti i shtetasve H. L dhe A. B, të cilët humbën jetën si pasojë e plagëve nga të shtënat me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.
Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon intensivisht hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.