Një 23-vjeçar, banues në Bathore, i dënuar më parë për vjedhje i shpëtoi për mrekulli plumbave të armës mbrëmjen e djeshme në Kamzë.
Esat Selimaj është 32-vjeçari që u vu në pranga nga Policia, duke parandaluar kështu përshkallëzimin e një konflikti me pasoja të rënda për jetën, që mund të kishte rrezikuar edhe jetën e kalimtarëve të rastit.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme për një konflikt të çastit të ndodhur në bulevardin “Nënë Tereza”, në Kamzë, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale u bë e mundur zbardhja e konfliktit dhe parandalimi i mëtejshëm i këtij konflikti me pasoja të rënda për jetën.
Si rezultat u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”, i shtetasit Esat Selimaj, 32 vjeç, banues në Kamzë.
Ky shtetas, në bulevardin “Nënë Tereza”, në Kamzë, dyshohet se ka qëlluar për motive të dobëta, me armë zjarri në drejtim të shtetasit I. I., 23 vjeç, banues në Bathore, i dënuar më parë për vjedhje.
Shtetasi Esat Selimaj, në një distancë rreth 50 metra, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit I. I., i cili në momentet e para, nuk e ka deklaruar këtë fakt në Polici.
Shërbimet e Policisë, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, kanë gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë dhe më pas gjatë arrestimit të shtetasit Esat Selimaj, kanë gjetur dhe sekuestruar edhe armën e zjarrit pistoletë me fishekë luftarak”, beri me dije policia.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.



