Për Qeverinë, nuk është shqetësues potencimi i Bashkimit Evropian për mos-zbatimin e reformave në Administratën Publike. Për BE-në, administrata publike është një nga pikat e dhimbshme ku nevojitet një ndryshim themelor. Problemet me reformat në administratën publike janë vërejtur edhe nga sektori civil gjatë monitorimit të planit 3-6-9 të qeverisë. Në një raport të Qendrës për Analiza Ekonomike, thuhet se me buxhetin e shtetit nuk planifikohen paratë në mënyrë të vërtetë për administratën. Nuk ka planifikim të mirë as për paratë vjetore apo ato trevjeçare për administratën.
QENDRA PËR ANALIZË EKONOMIKE
“Planifikimi afatmesëm i buxhetit, i cili është planifikuar me Draft Programin për Reforma të Menaxhimit të Financave Publike 2018-2021, do të duhet të planifikojë paratë buxhetore, për përdorues buxhetor për tre vitet e ardhshme, por jo vetëm nga inputet dhe rezultatet, por edhe sipas rezultateve të matshme. Kapacitete të tilla në administratën publike të Republikës së Maqedonisë nuk ka”.
Nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës thonë se reformat në administratë janë në pajtim me standardet evropiane. Sipas tyre, kjo është theksuar edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian.
“Fokusi i punës sonë është profesionalizimi i plotë i administratës publike dhe rritja e cilësisë së shërbimeve, një administratë publike që do të jetë në dispozicion të qytetarëve, që do të përmbushë nevojat dhe kërkesat e tyre në mënyrë që ata të mund të marrin të gjitha shërbimet e nevojshme shpejt, lehtë dhe lirë”, – deklaroi Damjan Mançevski, Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Deri në qershor të vitit 2019, vendi duhet ta reformojë administratën dhe ta bëjë atë efikase, të pa-korruptuar dhe në shërbim të qytetarëve./Alsat

