Në shkollën fillore “ Hasan Prishtina“ në Çair, libri i muzikës me të cilin mësojnë nxënësit nga klasa e 1 deri në klasën e 5-të nuk ka asnjë këngë shqipe, por ka këngë të përkthyera nga gjuha maqedonase, nacionalitet të cilit i përkasin edhe vet autorët e librit, shkruan Almakos.
Në këtë libër këndohet për heronj maqedonas, por jo edhe për ata shqiptarë.
Rufki Loku është mësues në shkollën fillore “Hasan Prishtina” që nga viti 2013. Ai thotë se me këtë libër është zhvilluar mesimi që nga ai vit e vazhdohet edhe sot. Sipas tij, ky libër është i përshtatshëm për nxënësit maqedonas, por jo edhe për nxënësit shqiptarë, pasi pas përkthimit teksti dhe melodia nuk përputhen.
“Ndeshim në vështirësi gjatë mësimit. Fëmijët nuk arrijnë t’i këndojnë dot këngët, sepse janë të përkthyer nga gjuha maqedonase në atë shqipe, dhe pas përkthimit teksti nuk përshtatet me melodinë. Kjo është skandaloze”– tha Rufki Loku, mësues në shkollën fillore “Hasan Prishtina”.
Lidhur me këtë, Mustafa Imeri, përgjegjës për paralelet shqiptare në Shkollën e Mesme të Muzikës “Ilija Nikollovski-Lluj” në Shkup, thotë se ky është një problem që nuk e ka vetëm një shkollë, e që ka vite që është i pranishëm. Sipas tij, me këtë çështje duhet të merren institucionet shtetërore, sepse pa u hapur kjo çështje atje, të tjerët s’mund të bëjnë ndonjë ndryshim.
“ Kjo është një problematikë për të cilën të gjithë jemi të vetëdijshëm, por një Mustafa Imeri, apo ndonjë tjetër individ, nuk mund të bëjë ndryshim, pa u inicuar kjo nga Ministria e Arsimit. Më saktë do të ishte mirë që kjo ministri të formonte një komision, i cili do të ndryshonte këto dukuri të pakëndëshme për nxënësit shqiptarë”– tha Mustafa Imeri, përgjegjës në paralelet shqiptare në Shkollën e Mesme të Muzikës në Shkup.
Pothuajse 3 vjet më parë MASH pati thirrur përfaqësues të Lidhjes së Pedagogëve të Muzikës Shqiptare në Maqedoni për të përpiluar libra të rinj. Më përkushtim të madh, grupet e formuara nga kjo lidhje përpiluan 8 libra , por duke mos e ditur se pas një kohe mundi i tyre “do të hidhej në lum”.
“Ne kishim një afat kohor prej katër muajve për të përpiluar librat për klasat e 4,5,6,7,8,9 dhe vitin e parë dhe të dytë të shkollës së mesme. Punuam maksimalisht dhe me pasion e dëshirë. Arsyeja pse librat nuk u botuan pasi u përgaditën, nuk kishte të bëjë me pagesën, sepse nuk ishte kjo parësore për ne, por kishte të bëjë me aspektin ligjor. Kur në krye të MASH si ministër u emërua Ademi, pyetëm se përse edhe pas dy vjetësh nuk u botuan librat, atëherë përgjigje na dha zv. Neziri, i cili tha se ata nuk e kanë ditur se ekziston një ligj, i cili thotë se të gjitha librat duhet të jenë në gjuhën maqedonase, ndërsa për nacionalitet tjera, të njejtat mund vetëm të përkthehen”- tha Adem Imeri kryetar i Lidhjes së Pedagogëve të Muzikës Shqiptare në Maqedoni.
Tashmë disa vjet nxënësit shqiptarë mësojnë për kompozitorë dhe interpretues të huaj, nga një libër ku nuk ka asnjë autor apo këngë shqiptare.
Tentuam të kontaktojmë me MASH, por nga ky institucion , si edhe këtë herë, ndodh shpesh të mos mundemi të marrim përgjigje për çështjet që janë nën ingerencat e kësaj ministrie.
Evi Shkopi
Almakos.com