Komisioni për parandalim të Korrupsionit ka alarmuar prokurorinë dhe gjyqësorin për keqpërdorimet e kryetarit të Strugës, Ramiz Merko, por asnjëri organe nuk ka ndërmarrë asgjë konkrete. Pas futjes së Merkos në listën e zezë amerikane, Antikorrupsioni doli para mediave për të treguar se ata kanë vepruar, por institucionet e tjera nuk kanë ndërmarrë asgjë.
“Serioze është çështja se përse organet shtetërore shpesh herë nuk i respektojnë dhe nuk reagojnë pas gjetjeve, dëshmive, rekomandimeve, raporteve dhe iniciativave nga institucionet e pavarura siç është Komisioni shtetëror për antikorrupsion, Revizioni dhe Avokati i popullit”, tha Biljana Ivanovska , kryetare e Antikorrupsionit.
Kryetarja e Antikorrupsionit shpjegon se qysh në 2019-tën kanë dorëzuar nismë deri të Prokuroria Publike për ngritjen të procedurës për ndjekje penale për Merkon, për shkak se me vetëdije dhe me qëllim ka dëmtuar buxhetin e komunës dhe të shtetit dhe ka blerë Audi luksoze. Lënda është shëtitur nga Prokuroria e Shkupit, tek ajo në Strugë e përsëri është kthyer tek Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, por Ivanovska e ka të paqartë se përse është dashur që lënda të shëtitet deri në Strugë. Lënda e tillë ende po hetohet dhe nuk ka marrë epilog, ndërsa në bazë të specifikave Merko ka kërkuar veturë luksoze për vete.
Për shkak se komuna e Strugës prej vitit 2010 punon me llogari të bllokuara, ndërsa Merko ka mundur të blejë veturë luksoze, Antikorrupsioni ka denoncuar deri te Këshilli Gjyqësor se Merko ka ndikuar deri te kryetari i Gjykatës Themelore-Strugë për të rritur përqindjen e minimumit për prokurim publik, por siç thekson Ivanovska edhe kjo lëndë e tyre është humbur dhe vjetërsuar.
“Ata marrin parashtresë prej nesh në vitin 2019, muajin nëntor dhe ne nuk kemi asgjë përgjigje edhe pse me ligj janë të obliguar në afat prej 60 ditësh të na kthejnë përgjigje, se çfarë kanë bërë. Pra ne nuk kemi përgjigje dhe pastaj ne dorëzojmë urgjencë të pyesim se çfarë ka ndodhur, urgjenca është nga shkurti i 2021 dhe ata na thonë se lëndë e tillë në arkivin e tyre elektronike nuk ka, ndërsa sa i përket veprimit të gjykatësit është lëndë e vjetërsuar sepse kanë kaluar 3 vjet që ka sjellja e vendimit”, sqaroi Ivanovska.
Ivanovska përfundon se në katër vitet e fundit, Komisioni ka zhvilluar një numër të madh të lëndëve, ndërsa deri në vitin 2022 ka dhënë më shumë se 100 iniciativa dhe rekomandime, por siç shton ajo, në shtet ka lidhje që nuk i lejojnë institucionet të funksionojnë siç duhet.