Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA), sot dërgoi apel që të mos favorizohen mediat gjatë shpërndarjes së informatave në lidhje me numrin e të infektuarve me Kovid-19.
“Për shkak të shfaqjes së informatave jo të verifikuara dhe jo të plota, lidhur me numrin e të prekurve me Kovid-19 në vend, kujtojmë se në situatë të tillë, informimi i saktë dhe në kohë i qytetarëve është prioritet kryesor dhe thelbësor për interesin publik. Po ashtu, ekziston praktikë e institucioneve shëndetësore kompetente të favorizojnë media të caktuara dhe ato janë të parat që marrin informacione në lidhje me koronavirusin. Agjencia përsëri apelon tek autoritetet kompetente që të shpërndajnë informata të plota në të gjitha mediat në të njëjtën kohë dhe të sigurojnë qasje të barabartë për të gjithë. Në të kundërtën, ato mund të bëhen burim potencial i dezinformatave”, kumtoi ASHMAA.
Në të njëjtën kohë, u bëri thirrje mediave, duke pasur parasysh rolin e tyre të përgjegjësisë shoqërore, të udhëhiqen nga standardet dhe parimet e gazetarisë profesionale në punën e tyre dhe jo nga parimi i ekskluzivitetit.



