Një herë dhe përgjithmonë duhet ndarë interesi politik nga ekonomia, qeveria duhet të mos jetë punëdhënësi më i madh, por motori i ekonomisë vendase të jenë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si dhe të ketë trajtim të barabartë të të gjitha ndërmarrjeve që veprojnë në vend.
Vetëm në këtë mënyrë ekonomia e brendshme mund të ecë përpara dhe të sigurojë rritje. Këto mesazhe u dërguan sot nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Kryetari i AShAM-it, Taki Fiti, potencon se ndarja e bizneseve në vend dëmton klimën e biznesit.
“Ajo që është paraparë për këtë vit, rritje prej 3.2 për qind e GDP-së, është realisht e realizueshme, nuk e di sa do të arrijmë këtë vit. 3.2 nuk është gjë e paarritshme për ekonominë e Maqedonisë, por pas periudhës së krizës duhet që ekonomia të konsolidohet dhe ngadalë të shënojë rritje. Potenciali i Maqedonisë për rritje është 4.9 deri më 5.5. Qëllimi është që ta arrijmë rritjen më të lartë apo atë që ne e quajmë GDP-ja potenciale. Duhet të ndalohet ndarja e biznesit, i juaji dhe e joni. Kjo e dëmton klimën e biznesit. Rrugët dhe infrastruktura publike duhet të ketë prioritet”,- deklaroi kryetari i AShAM-it, Taki Fiti.
Nga Qendra për Analiza Ekonomike potencojnë se indikatorët për GDP nuk janë tregues të mirë për zhvillimin dhe rritjen ekonomike si dhe propozuan indikatorë të rinj si indekse të kënaqësisë për jetesë, indekse të fatit dhe indekse të tjera që do ta saktësonin më tepër rritjen dhe zhvillimin ekonomik.
“Sugjerimi ynë nga Qendra për Analiza Ekonomike deri te Enti Shtetëror për Statistika të parasheh dhe metoda të tjera për GDP-në që janë më të përafërta për qytetarët dhe që nuk do të përfshijnë vetëm transaksionet financiare, por dhe elemente që nuk janë të përfshira në GDP”,- u tha nga Qendra për Analiza Ekonomike.
Ekspertët porositën që qeveria të koncentrohet tek investimet publike dhe prioritet të jenë rrugët dhe infrastruktura e përgjithshme. /TVM2/