Në vend që të mbrojnë interesat e shqiptarëve, përfaqësuesit e VLEN-it po luajnë rolin e spektatorit të privilegjuar në një qeveri që sistematikisht i përjashton shqiptarët nga institucionet shtetërore.
Vetëm gjatë javës së parë të korrikut, në katër institucione qendrore janë realizuar gjithsej 133 punësime të reja, prej të cilave vetëm 5 u takojnë shqiptarëve, kryesisht në pozita të ulëta dhe asnjë në nivel udhëheqës. Konkretisht: 26 punësime në Ministrinë e Mbrojtjes (1 shqiptar), 10 në Ministrinë e Bujqësisë (0 shqiptarë), 50 në Ministrinë e Sportit (4 shqiptarë, pa asnjë në funksion drejtues), dhe 32 në Regjistrin Qendror (0 shqiptarë). Këto shifra nuk lënë vend për interpretime – ato dëshmojnë një diskriminim të qëllimshëm dhe të institucionalizuar.
Ky nuk është përjashtim i rastësishëm, por politikë e planifikuar për ekskluzion etnik, e heshtur dhe e toleruar nga partnerët shqiptarë të qeverisë.
VLEN, në vend që të mbrojë përfaqësimin e shqiptarëve, është zhytur në fushatë vetëpromovuese, ndërsa vendimmarrja reale dhe resurset publike kalojnë përmes filtrit të VMRO-DPMNE-së. Ata që dje predikonin “moral të lartë opozitar”, sot janë shndërruar në vazalë funksionalë të pushtetit, duke heshtur përballë padrejtësive të rënda.