Aleanca për Shqiptarët po ndjek me shqetësim procesin e zvarritur për hartimin dhe miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat në institucionet shtetërore dhe publike. Deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski, se ligji do të kalojë fillimisht në Qeveri dhe më pas do të dërgohet për mendim në Komisionin e Venecias, para se të votohet në Kuvend, ngjall shqetësim të thellë për vonesa të qëllimshme dhe taktika bllokuese nga VMRO-DPMNE dhe partnerët e saj të qeverisë nga koalicioni VLEN, të cilët ose nuk e kuptojnë rëndësinë e kësaj çështjeje, ose janë verbuar nga etja për pushtet.
Përvoja me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve tregon rrezikun real të vonesave të gjata. Ky ligj u dërgua në Komisionin e Venecias më 22 janar 2019, ndërsa opinioni miqësor u kthye vetëm më 4 maj 2025 – pas plot gjashtë vitesh pritje.
Për më tepër, në dallim nga ai ligj që u miratua në Kuvend dhe më pas iu nënshtrua vlerësimit ndërkombëtar, në rastin aktual, Qeveria tenton ta dërgojë ligjin për përfaqësim të drejtë në Komisionin e Venecias pa miratim parlamentar. Kjo është një praktikë e rrezikshme që mund të krijojë zbraztirë juridike, në një moment kur vendi ka nevojë për garanci të qarta për përfaqësim të drejtë të të gjitha komuniteteve.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta shfuqizuar sistemin e balancerit, vendi ndodhet në një boshllëk ligjor që po keqpërdoret rëndë. Praktikat aktuale të punësimeve – ku në shumë konkurse rezultati është (20 me 0) në dëm të qytetarëve shqiptarë – janë tregues i qartë i shkeljes së parimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe rrezikojnë seriozisht harmoninë ndëretnike.
Aleanca për Shqiptarët kërkon me ngulm që Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat të miratohet fillimisht në Kuvend dhe vetëm pas kësaj të dërgohet për mendim në Komisionin e Venecias. Vetëm në këtë mënyrë mund të shmangen vonesat e pafundme, të mbrohet barazia qytetare dhe të parandalohet keqpërdorimi politik i punësimeve në administratë.