Aleanca për Shqiptarët, nëpërmjet një deklarate publike, ka kritikuar ashpër koalicionin VLEN, duke e cilësuar atë si një grupacion pa përmbajtje, pa drejtim dhe pa strukturë të qëndrueshme organizative. Sipas ASH-së, premtimet e VLEN-it për përfaqësim dinjitoz të shqiptarëve, reformë të vërtetë dhe krijimin e një partie unike shqiptare kanë rezultuar të rreme dhe të pambajtura.
“Koalicioni që u prezantua si një alternativë e re politike është kthyer në një format të ricikluar të së vjetrës. Logjika e funksionimit të dikurshme e BDI-së është rikthyer, por me emër dhe ngjyrë tjetër,” thuhet në deklaratë.
ASH akuzon drejtuesit e VLEN-it për lidhje të ngushta me pushtetin dhe për mungesë të një zëri të pavarur politik shqiptar. Sipas tyre, këta drejtues janë bërë më të zellshëm në mbrojtjen e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sesa vetë anëtarët e partisë së tij.
“Në vend të bashkimit, brenda VLEN-it mbizotërojnë ndarjet, interesat e ngushta dhe konkurrenca për poste dhe privilegje. Shkrirja e partive të vogla që përbëjnë këtë koalicion ka mbetur vetëm në fjalë. Kufijtë partiakë ruhen me fanatizëm dhe interesat e veçanta dominojnë në çdo komunë,” thuhet më tej nga ASH.
Deklarata vazhdon me akuza konkrete ndaj disa figurave brenda VLEN-it, të cilët sipas ASH-së janë të përfshirë në skandale, nën trysni të faktorëve të jashtëm, ose të përqendruar më shumë në autopromovim se në punë konkrete në terren.
ASH përmend edhe mungesën e përgatitjeve për zgjedhjet lokale, duke theksuar se në vend të një vizioni të përbashkët, VLEN po përballet me përçarje të brendshme dhe sulme të ndërsjella mes anëtarëve të saj.
“Për të shmangur përgjegjësinë për krizën dhe dështimet, kanë nisur një fushatë linçimi kundër kryetarit Arben Taravari, duke ia atribuar atij të gjitha problemet, kur në fakt vetë janë përgjegjësit kryesorë për gjendjen aktuale,” përfundon deklarata e ASH-së.