Aleanca për Shqiptarët-Taravari thonë se janë të shqetësuar për dakordimin mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe koalicionit VLEN, që propozim ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat të dërgohet fillimisht në Komisionin e Venecias, pa u miratuar më parë në Kuvend. ASH e konsideron këtë qasje si të gabuar dhe të rrezikshme, duke paralajmëruar për një boshllëk ligjor që mund të çojë në diskriminim në punësime dhe bllokim të reformave ndëretnike. Si shembull, theksohet rasti i Ligjit për Gjuhët, për të cilin u deshën gjashtë vjet për një opinion nga Komisioni i Venecias.
“Kryeministri Mickoski ka bërë të qartë se projektligji do të kalojë në Qeveri, por do të dërgohet për vlerësim ndërkombëtar përpara se të hyjë në procedurë parlamentare. Me këtë qëndrim janë pajtuar edhe liderët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, duke e justifikuar vendimin me nevojën për shmangien e problemeve si ato me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve në Gjykatën Kushtetuese. Por Aleanca për Shqiptarët paralajmëron se kjo qasje është jo vetëm e gabuar, por edhe e rrezikshme”, thonë nga ASH-Taravari.