Informacionet tona për pazare nate, shantazhe dhe transfere interesi rezultuan të jenë tërësisht të sakta. Me ngut, në seancën e fundit të Qeverisë së VMRO-DPMNE dhe VLEN-it, ish-deputeti Salim Sulejmani u emërua si i dërguar special në Arabinë Saudite – dhe jo si ambasador i plotfuqishëm, siç ishte pritur nga ai dhe mbështetësit e tij. Ky është një nënçmim i drejtpërdrejtë, i cili vetëm sa e konfirmon natyrën e pazarit të ulët politik, në këmbim të dorëzimit të mandatit të deputetit.
Një tjetër skenar i paralajmëruar nga ne, po bëhet realitet: Azir Aliu po emërohet Ministër i Shëndetësisë – një tjetër post personal që blen heshtje dhe tradhti ndaj vullnetit të qytetarëve shqiptarë.
Këto emërime, së bashku me zhvillimet që priten në ditët në vijim, janë dëshmi e qartë se grupi i Arben Fetait është instrument qeveritar, i joshur me privilegje dhe kolltukë, i cili ka vetëm një mision: të dëmtojë Aleancën për Shqiptarët dhe të tradhtojë interesin qytetar shqiptar.
Por koha i zbulon të gjithë! Fytyra e vërtetë e komplotistëve të mbështetur nga qeveria po del në shesh. Ata po izolohen përditë nga qytetari shqiptar, i cili i njeh tashmë dallimet mes idealeve të pastra të ASH-së dhe interesave personale të kolaboracionistëve politikë.
Derisa VLEN dhe krahu i komplotistëve të ASH-së po qëndrojnë në një qeveri antishqiptare, ne – Aleanca për Shqiptarët – qëndrojmë me qytetarin shqiptar, i cili po e braktis këtë kastë pa legjitimimet dhe pa përkrahje popullore.
Ne jemi në rrugën e drejtë!
Ne e dëshmuam që nuk e shesim vullnetin e qytetarëve për të mbajtur poste e privilegje. Ne nuk bëjmë pazare me të ardhmen e shqiptarëve.