Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka alarmuar se projektligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat vazhdon të zvarritet në mënyrë të qëllimshme nga Qeveria. Sipas tyre, edhe pse ishte paralajmëruar se me urgjencë do të dërgohej për mendim në Komisionin e Venedikut dhe më pas të kalonte në Kuvend para zgjedhjeve, ai ende mbetet i bllokuar në korridoret e ndërtesës qeveritare.
Ata thonë se kjo zvarritjeje është më shumë se neglizhencë, është strategji për të shmangur çdo debat publik dhe demokratik rreth një çështjeje thelbësore për funksionimin e shtetit, siç është përfaqësimi i drejtë i të gjitha komuniteteve.
“Edhe pse vlerësojmë se versioni aktual i propozuar nga VMRO-DPMNE, për të cilin është përgjegjëse nacionalistja Tanja Karakamisheva, është një dokument që nuk përmbush as standardet minimale kushtetuese, edhe si i tillë vazhdon të neglizhohet në pafundësi”, thanë nga ASh Taravari.
Aleanca për Shqiptarët vlerëson se drafti nuk përmban afate kohore për zbatim, nuk parasheh masa sanksionuese për institucionet që nuk e zbatojnë ligjin, nuk garanton përfaqësim në hierarkinë drejtuese të shtetit dhe nuk afirmon kuota për komunitetet më pak të përfaqësuara, siç kërkohet nga Kushtetuta dhe Amendamenti VI.
Ata thonë se mungesa e këtyre elementeve thelbësore e shndërron ligjin në një “alibi ligjor” për vazhdimin e diskriminimit institucional.
“Ai nuk është ligj për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, por një dokument i përgatitur për të kënaqur oreksin politik të Karakamishevës dhe aleatëve të saj, ndërkohë që VLEN është totalisht i margjinalizuar nga çdo vendimmarrje. Nisur nga këto vërejtje thelbësore, ftojmë qeverinë që projektligji të dërgohet urgjentisht në Kuvend”, thanë nga ASh Taravari.
Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 24 qershor e miratoi Propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, me këtë ligj hapet një kapitull i ri i profesionalizmit në sektorin publik.
Kujtojmë se, VLEN për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ka dhënë premtime pa afate. Portalb.mk, në vazhdimësi ka kujtuar për vonesën e ligjit dhe për anëtarët e grupit të punës.
Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit “Balancues”, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk është mbajtur llogari për përkatësinë etnike.
Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit.