Nënkryetarja e Aleancës për Shqiptarët (ASH), Bujare Abazi tha se qëndrimi i partisë së saj politike në lidhje me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale është që votuesit e tyre të vendosin sipas bindjeve personale, raporton Anadolu Agency (AA).
ASH sot mbajti një konferencë për media para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për të shënuar përvjetorin e dytë të ngjarjeve të 27 prillit 2017, ku nënkryetarja Abazi u pyet edhe rreth raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen më 5 maj.
Ajo përsëriti qëndrimin e kryetarit të partisë, Ziadin Sela, duke thënë se qytetarët vetë duhet të orientohen sipas ofertave të kandidatëve.
“Në shtetet demokratike as që parashtrohet pyetja se kush duhet t’i orientojë qytetarët. Do të thotë qytetarët orientohen në bazë të ofertës së kandidatëve kur janë në pyetje zgjedhjet presidenciale. Të njëjtën e tha edhe kryetari, z. Ziadin Sela, se qytetarët do të jenë të lirë të vendosin në bazë të bindjeve të veta”, tha Abazi.
ASH bashkë me Lëvizjen BESA, në zgjedhjet presidenciale mbështetën kandidatin e pavarur, Blerim Reka, i cili u radhit i treti në raundin e parë të zgjedhjeve të mbajtura më 21 prill, andaj nuk mund të vazhdojë garën në raundin e dytë.
Garën e kanë vazhduar kandidatët Stevo Pendarovski i mbështetur nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) dhe partnerët e koalicionit qeveritar dhe Gordana Siljanovska-Davkova nga VMRO-DPMNE-ja.
Sa i përket dhunës së ushtruar nga protestuesit që u futën në Kuvend më 27 prill 2017, Abazi tha se kjo ditë simbolizon sakrificën për mbrojtjen e demokracisë dhe vlerave të saj, si dhe për rrugëtimin e vendit drejt NATO-s dhe BE-së.
Deputeti dhe kryetari aktual i ASH-së, Ziadin Sela, ishte personi që pësoi lëndime më të rënda në dhunën e 27 prillit.
Kujtojmë se mbrëmjen e 27 prillit të vitit 2017, pas zgjedhjes së Talat Xhaferi për kryetar të Kuvendit në një situatë kaotike, protestuesit e kryesuar nga nisma qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”, të cilët ishin tubuar para Kuvendit, me forcë hynë brenda godinës dhe ushtruan dhunë ndaj deputetëve, pjesëtarëve të policisë si dhe punonjësve mediatik.