Aleanca për Shqiptarët ka reaguar sërisht ashpër ndaj përzierjes së kryeministrit Zoran Zaev në vullnetin politik të shqiptarëve, në prag të rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale. Ata i apelojnë Kryeministrit të kujdeset për punët e shtetit e jo të merret me Gostivarin.
“Zoran Zaev, fjalimi i juaj në Gostivar ishte një borxh i vjetër që ia kishe Nevzatit…e pagove pak më lartë nga ç‘duhet! Ju dhe PR-i juaj ndoshta duhet të kishit marrë më shumë informacion për Nevzatin! Gjithsesi, ju keni fare pak kohë që jeni vendosur në krye të vendit, ndershmërisht dhe ne, prandaj ju sugjerojmë që të merreni me punët e shtetit, se për qytetin e Gostivarit kujdesen bijtë e tij! Është e domosdoshme që secili të bëj punën e vet mirë (ashtu siç edhe ju e cekët në Gostivar), që të gjithë të kenë një jetë më të lumtur! Jemi të sigurt që edhe ju z. Zaev jeni pjesë e fushatës “Gostivari i Pari” pikërisht se jeni Kryeministër i vendit”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
Në reagimin e kësaj partie politike drejtuar mediave thuhet se me përvojën e tij si kryetar komune nga radhët e një partie opozitare do të duhej që së paku t’i kujtohet se këto lloje të veprimit nuk kanë të bëjnë fare me shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit. Aleanca shprehë gatishmërinë e kandidatit Taravari për udhëheqjen e komunës së Gostivarit:
“Faleminderit për vlerësimin që i bëtë Kryetarit të ardhshëm të Gostivarit, Arben Taravarit si ministër i Shëndetësisë. Ai u zgjodh si funksionari më i besuar i qeverisë duke iu kaluar dhe ju Zoran Zaev! Imagjinoni sa i aftë do jetë si Kryetar Komune i qytetit të tij! Ekipi i tij është një Gostivar i tërë! Ky është dallimi që duhet kuptuar: Bejta nuk garon kundër Taravarit, Bejta ka kundër gjithë Gostivarin!”, thuhet më tej në reagim./Almakos

