Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, në zgjedhjet e 11 janarit në Komunën e Vrapçishtit do ta përkrah kandidaturën e Zuli Demirit. Partia e Selës fton anëtarësinë e saj të përkrah Demirin në zgjedhjet në Vrapçisht, në të cilat nuk u arrit censusi në zgjedhjet e rregullta.
“Aleanca për Shqiptarët mbështet kandidaturën e Zuli Demirit, për Kryetar të Komunës së Vrapçishtit, në zgjedhjet e 11 Janarit. Duke besuar në personalitetin, përgaditjen dhe aftësitë e dëshmuara deri më tani, si një personalitet i formuar, njeri besnik dhe punëtor, menaxhues i suksesshëm në përgjegjësitë që ka bartur deri më tani, jemi të bindur se me të njëjtin përkushtin dhe sukses do të menaxhojë edhe këtë detyrë të re”.
“Ftojmë anëtarët e Aleancës për Shqiptarët, simpatizantët dhe të gjithë qytetarët, që në mënyrë masovike të mobilizohen dhe të mbështesin njeriun i cili me punë dhe ndershmëri e ka dëshmuar tanimë se është zgjedhja më e mirë për të menaxhuar Komunën e Vrapçishtit”, thonë nga ASH e Ziadin Selës.
Ndryshe, dje edhe koalicioni VLEN doli në mbështetje të kandidaturës së Demirit, i cili përball do të ketë kryetarin e deritanishëm Isen Shabani, i cili do të përkrahet nga koalicioni AKI./Telegrafi/


