Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës njofton se ka zhvilluar mbledhjen e radhës në të cilën morën vendim që të ndahen nga AKI dhe në Kuvend të veprojnë si grup i pavarur, thuhet në njfotim.
Nga ASH thonë se në zgjedhjet e fundit lokale, koalicioni me të cilin garuam doli fitues në nivel kombëtar, me sasinë e votave të fituara në listat për këshilltarë dhe numrin e këshilltarëve të fituar, por jemi të pakënaqur nga epilogu në garën për kryetarë komunash ku u përballëm me një inzhinjering të fuqishëm shtetëror dhe bashkëveprime të subjekteve shqiptare në pushtet me partitë maqedonase nga të gjitha kampet, me të vetmin qëllim, realizimin e platformës së OBRM-PDUKM-së për defaktorizimin e shqiptarëve në vend.
“Nga këto skenare më shumë se ne si subjekte humbën vetë shqiptarët, pasi pas pushtetit qëndror, tani shqiptarët u degraduan edhe në nivel të pushtetit lokal. Por, edhe përskaj kësaj situate Aleanca për Shqiptarët mbetet e vendosur në mbrojtjen e kauzës kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut duke e vlerësuar si të rëndësishëm rritjen dhe forcimin e angazhimit politik për arritjen e idealit dhe objektivit tonë.
Pas diskutimeve përmbajtësore dhe shumë të rëndësishme, anëtarët e Kryesisë në mënyrë unanime sollën vendim për veprim autonom të Aleancës për Shqiptarët, ndërsa ditëve në vijim deputetët e ASH do të procesojnë në Kuvend edhe vendimin për veprim si grup i pavarur.
Aleanca për Shqiptarët mbetet zëri i fuqishëm opozitar i shqiptarëve, duke ruajtur komunikimin me subjektet opozitare shqiptare, për çka në kohë kemi njoftuar edhe partnerët tanë të deritanishëm të koalicionit”, thuhet në njoftimin e ASH-së.


