Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj përmbajtjes së programit të ri mësimor për lëndën e historisë në arsimin fillor dhe të mesëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar atë si tendencioz, diskriminues dhe tërësisht joprofesional.
Në një konferencë për media, anëtari i kryesisë së ASH-së, Isak Sherifi, shprehu indinjatë të thellë për përjashtimin e historianëve shqiptarë nga grupet punuese, duke theksuar se kjo është “një fyerje e drejtpërdrejtë për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe një skandal institucional në një shtet që vetquhet multietnik”.
Sherifi theksoi se ndonëse partia mbështet reformimin e kurrikulave në parim, ajo nuk mund të heshtë përballë falsifikimeve flagrante të historisë, mohimit të identitetit shqiptar dhe zbehjes sistematike të kontributit historik të shqiptarëve.
“Shembujt janë të shumtë: titulli ‘Ilirët dhe Dardanët’ është joshkencor – dardanët janë pjesë e trungut ilir. Termi ‘Arbër’ për shqiptarët në mesjetë është injoruar. Historia shqiptare është fragmentuar dhe përgjysmuar, për të mos thënë fshirë”, tha Sherifi.
Sipas ASH-së, ky deformim i qëllimshëm përbën një rrezik serioz për formimin e brezave të rinj, të cilët do të mësojnë një histori të shtrembëruar dhe të ndërtuar mbi baza ideologjike e jo shkencore.
“Ky nuk është thjesht një problem arsimor, por një çështje e thellë politike dhe identitare. Nuk do të lejojmë që historia të shkruhet sipas dëshirës së njëanshme të burokratëve”, shtoi Sherifi.
ASH kërkon që me urgjencë të pezullohet procesi i miratimit të teksteve mësimore, derisa në të mos përfshihen edhe historianë shqiptarë në mënyrë të barabartë dhe profesionale.
“Nëse historia shkruhet gabim sot – e ardhmja do të ndërtohet mbi gënjeshtra nesër. Koha për veprim është tani!”, theksoi anëtari i kryesisë, Isak Sherifi. (INA)