Koalicioni ASH- Alternativa i propozon Kuvendit formimin Komisionit hetimor për punën e Komisionit për Sëmundje Infektive (KSI). Sipas tyre, komisioni i cili duhej të përballej me pandeminë, ka dështuar për shkak të politizimit të përbërjes.
Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari theksoi për Alsat-M se komisioni që duhej të përballej me pandeminë ka dështuar, për shkak të politizimit të përbërjes së tij, dhe se ky organ po rri duarkryq.
“Çdo një organ shtetëror i cili ndërmerr hapa jo kompetente në kohë të nevojshme atëherë duhet të ketë edhe përgjegjësi. Ne si grup parlamentar e kemi nisur këtë iniciativë dhe shpresoj të pranohet dhe të nisë me punë Komisioni Hetimor. KSI është skajshmërisht partiak. Aty janë anëtar partiak të dy partive në pushtet LSDM dhe BDI. Maqedonia është vendi i vetëm i cili akoma nuk ka strategji dhe algoritme se si të ballafaqohet me këtë situatë”, deklaroi për Alsat-M, Arben Taravari.
Formimi i Komisionit Hetues shkon përmes prononcimit të Kuvendit në seancë plenare për nevojën e formimit të një komisioni të tillë.




