Përfundimi i djeshëm i takimit të liderëve pa një marrëveshje për referendumin, sipas analistit politik, Petar Arsovski, është “status quo”, situatë që mund të prodhojë thellim të krizës politike.
Për Arsovskin është fakt i papranueshëm akti që dje e bëri lideri i VMRO-së, Hristijan Micckovski, i cili refuzoi dorën e zgjatur të tre liderëve të tjerë politikë për ta çuar vendin në NATO dhe BE, me realizimin bashkërisht të referendumit në vjeshtë për emrin.
Arsovski zgjidhje për problemin shikon tek ndryshimet kushtetuese që duhet të ndodhin në fund të vitit, të cilat, sipas tij, do të nënkuptonin edhe përmbyllje të procesit në përgjithësi.
“Në skenën politike kemi situatë “status quo” dhe vlerësoj se e njëjta është e lidhur me kërkesat e opozitës, që kanë të bëjnë me uljen ose fshirjen e disa neneve për përgjegjësinë penale. Mendoj se rreth kësaj çështje sillet kryekëput mosmarrëveshja, sepse e pamë se kërkesat tjera janë përmbushur nga shumica parlamentare e që kanë të bëjnë me formimin e KShZ-së, qeverinë teknike dhe financimin e partive. Mbetet vetëm kushti për amnisti për të cilin ne nuk jemi hollësisht të njoftuar. Po hyjmë në krizë më të thellë politike, megjithatë mendoj se e njëjta do të zgjidhet deri në fund të këtij viti, pasi që do të përfundojnë ndryshimet kushtetuese dhe do të përmbyllet marrëveshja”,- deklaroi analisti politik, Petar Arsovski.
Arsovski vlerëson se me këto veprime VMRO-DPMNE po dëshmon se nuk dëshiron të ardhme europiane të vendi. VMRO-DPMNE, sipas tij, kundërshton propozimet e Qeverisë dhe nuk jep alternativë.
Kjo, shton më tej Arsovski, është në dëm të vendit, sepse nuk ka të bëjë aspak me rrezikimin e identitetit maqedonas, pasi që marrëveshja e garanton atë.
“Mendoj se opozita thellë në vete e kundërshton procesin e përafrimit të vendit në BE dhe NATO, sepse nuk mundemi ndryshe të interpretojmë sjelljen e opozitës kohëve të fundit. Nuk besoj se ata janë aq dramatikë dhe të besueshëm kur bëjnë thirrje se do ta humbasim identitetin e kombit për arsye se në Marrëveshjen me Greqinë, identiteti është i mbrojtur dhe nuk paraqet rrezik për ne. Problemi kryesor i opozitës me tjera fjalë është se Qeveria ofron zgjidhje dhe alternativë të ndryshme për të siguruar të ardhmen, një jetë më të mirë për të gjithë, ndërsa opozita kundërshton kompromiset dhe nuk ofron zgjidhje konkrete për problemet”,- tha analisti politik, Petar Arsovski.
Liderët, Zaev, Mickovski, Ahmeti dhe Kasami, në takimin e djeshëm ranë dakord për formimin e KSHZ-së me dy të tretat e votave, miratimin e Ligjit për financimin e partive dhe qeverinë teknike sipas modelit të Përzhinës, por nuk arritën marrëveshje për referendumin.
Dallimet kryesore mes pushtetit dhe opozitës mbetën sa i takon realizimit dhe formulimit të pyetjes së referendumit, për të cilën VMRO nuk pajtohet që pyetja të ketë më shumë se një domethënie.
Arsovski thotë se shpresa e vetme është në mbështetjen masovike të qytetarëve për referendumin, i cili do ta garantojë të ardhmen e tyre europiane.
REXHEP QAMILI