Në një reagim të zjarrtë në rrjetet sociale, Kryetarja e Qytetit të Shkupit ka shpërthyer ndaj Kryeministrit Hristijan Mickoski, duke e akuzuar se po mbron krimin dhe hesht përballë ndërtuesve të paligjshëm në komunën e Çairit.
Ajo e sfidon publikisht Mickoskin që të përgjigjet se çfarë ka bërë si kryeministër me pushtet absolut për të ndëshkuar eksponentët e vjetër të BDI-së – tani të kamufluar brenda VLEN-it – si Visar Ganiu, Ejup Ademi dhe zëvendëskryeministri Izet Mexhiti.
“150 ndërtime pa leje në Çair janë ndaluar nga ne, janë raportuar në institucionet përkatëse që në vitin 2023. Kemi prova për falsifikime të rënda dhe kriminalizim të procesit të legalizimeve. Ganiu ka falsifikuar dokumente më 20 mars 2025 për të regjistruar ndërtime të paligjshme në Kadastër. Dhe ti, Mickoski, në vend që të veprosh, i del në mbrojtje,” shkruan ajo.
Ajo shprehet se Ganiu, Ademi dhe Mexhiti janë përfaqësues të një elite politike që ka qenë në pushtet për mbi 20 vjet dhe sot përpiqet të mbijetojë politikisht duke u fshehur pas petkut të reformës me VLEN-in, por në thelb vazhdojnë të jenë “kriminelët e vjetër të BDI-së”.
“Ti nuk je më një spektator. Je bashkëpunëtor. Ke një vit si kryeministër dhe asnjë veprim ndaj tyre. Nëse nuk je i përfshirë, vepro. Nëse je, atëherë je bashkëfajtor. Unë nuk tërhiqem. Kam prova dhe nuk kam frikë nga asnjë prej jush,” përfundon ajo mesazhin, duke paralajmëruar se heshtja institucionale do të interpretohet si mbrojtje e krimit dhe aleancë me paligjshmërinë.