Nuk është asgjë e re te thuhet se cilësia e shkollimit në gjuhën shqipe është shumë më e dobët se ajo në gjuhën maqedonase dhe nuk ka asnjë dyshim se një kontribut të madh në këtë drejtim kanë kushtet e pabarabarta në të cilat mësojnë nxënësit, duke filluar nga cilësia e shkollave, numri i nxënësve në klasë, laboratorët, librat, pajisjet mësimore dhe përgatitja profesionale e mësimdhënësve, që te paralelet me mësim në gjuhën shqipe janë në të gjitha rastet problematike.
Megjithatë, të gjitha këto dallime nuk janë aq të thella saç është ndryshimi në cilësinë e shkollimit, respektivisht rezultate shumë më ët dobëta që tregojnë nxënësit shqiptarë si në nivel të matjeve brenda Maqedonisë ashtu edhe në nivel ndërkombëtarë.
Rezultat nga testimi ndërkombëtarë PISA 2015 të analizuara në këtë këndvështrim, janë dëshpëruese për shqiptarët.
Në përgatitje të organizimit të testimeve të radhës (PISA 2018) që në Maqedoni do të nisin më 23 prill, Beti Lameva nga Qendra Shtetërore e Provimeve bëri publike rezultatet e krahasuara sipas llojit të shkollimit, elementit gjuhësor, ambientit të shkollës dhe të dhënave nëse nxënësit që u përfshinë në testimin PISA 2015 kishin frekuentuar ose jo institucionet e arsimit parashkollor.
Në të gjitha këto dimensione vërehen dallime, por më të theksuara kanë të bëjnë me përkatësinë gjuhësore të nxënësve. Kështu, rezultate për matematikën, ku Maqedonia në nivel ndërkombëtarë radhitet në vendin e 68 nga gjithsej 72 vende pjesëmarrëse në PISA 2015, pjesa dërmuese e nxënësve që nuk kanë kaluar rezultatet e nivelit të parë (niveli më i ulët) janë nxënësit shqiptarë. Në tabelën e
Rezultateve sipas gjuhës në të cilën flasin nxënësit në shtëpi, tregohet se nga nxënësit që flasin maqedonisht në nivelin më të ulët të njohurive janë gati 62 për qind, ata që falsin serbisht 70 për qind, ata që falsin turqisht 89 për qind, ndërsa ata që falsin shqip gati 90 për qind. Nga numri i përgjithshëm i nxënësve shqiptarë të cilat kanë marrë pjesë në PISA 2015 vetëm 10 për qind e tyre kanë arritur të ngjiten në shkallën e dijeve bazike, pasi 90 për qind e nxënësve që në shtëpi flasin në gjuhën shqipe kanë treguar rezultatet të dobëta apo të nivelit të parë.
Në Maqedoni ka dallim jo të vogël edhe të rezultateve (në këtë rast të cilësisë së shkollimit) sa i përket llojit të arsimit, pra nëse bëhet fjalë për nxënës që janë regjistruar në gjimnaze apo shkolla të mesme profesionale. PISA 2015, sikurse bëri të ditur Lameva nga QSHP tregojnë se shkollat profesionale janë për 44 pikë më poshtë se gjimnazet.
Sa i përket përfshirjes ose jo të nxënësve në çerdhe, rezulton gjithashtu se më mirë (në lexim, matematikë dhe shkencë) kanë dalë ata që janë me më tepër se një vit arsimi parashkollor, pastaj ata me vetëm një vit dhe të fundit renditen ata që nuk janë përfshirë fare në këtë nivel arsimimi. Dallimi qytet/fshat sa i taton rezultateve të këtij testimi, nuk është edhe aq i madh pasi diferenca është për 12 pozita më poshtë për nxënësit që arsimin fillor e kanë kryer në shkolla rurale.
Testimet PISA bëjnë matjen në nivelin e njohurve të nxënësve të moshës 15 vjeçare, pra të atyre që kryesisht janë në vit të parë dhe kanë për qëllim të identifikojnë problematikat ku duhet të fokusohen politikat arsimore dhe të matin paraprakisht nivelin dhe aftësinë e nxënësve me shkathtësi jetësore.
Të dhënat që u publikuan nga OECD në dhjetor të 2016-ës treguan performancë shumë të dobët për lexim me logjikë, matematikë aplikative dhe njohurive nga shkenca të nxënësve nga Maqedonia. Nëse mesatarja e të gjitha shteteve është 493 pikë për të gjitha shtete në shkencë, nxënësit nga Maqedonia gjenden në kuotën e 384 pikëve, në lexim raportet janë 493 me 325, kurse në matematikë 490 me 371 pikë. Nxënësit shqiptarë kanë treguar rezultate më të dobëta edhe në testimet tjera ndërkombëtare si TMSS apo PIRLS, njëlloj së në testet e maturës shtetërore dhe në rezultatet e instrumenteve tjera të matjes së cilësisë në arsim. /koha.mk/